“Bashkia e Shijakut, model për legalizimet”, Rama me kryebashkiakët: S’ka më justifikime, më shumë fokus në këtë proces

schedule10:56 - 8 Tetor, 2024

schedule 10:56 - 8 Tetor, 2024

Kryeministri Edi Rama kërkoi nga kryebashkiakët që të ndjekin shembullin e bashkisë së Shijakut, për të cilën tha se është shembull në procesin e legalizimeve. Në takimin me ta, kreu i qeverisë deklaroi se edhe bashkitë e tjera duhet të punojnë shumë për këtë proces.

“Meqë Shkodrën e mori PS, erdhën demokratët punëtorë. Një nga pikat kryesore na jepni akses te legalizimet. Dhe tani kemi shtruar rrugën për aksesin në mënyrë që njerëzit të kenë bashkinë në krah, dhe procesi të bëhet më i lehtë. Çfarë presim ne që ta përshpejtojë këtë proces? Nuk dua të përmend emra sepse një nga kryetarët më të zëshëm të bashkive që thoshte se duhet ta marrë bashkia pjesën e përgjegjësisë ka një nga nivelet më të ulëta të rezultatit ndërkohë që bashkia më e suksesshme pa diskutim fare me tërmetin, e Shijakut, është bashkia model për të gjithë procesin e legalizimit. Nuk po them ta arrini Shijakun se nuk e arrini dot. Nuk e di pse, nuk e kuptoj se çfarë ndodh në bashkinë e Shijakut që ka një paraqitje të të gjithë procesit dhe dokumentit të kujtdo personi, besoj se është kontakti i drejtpërdrejtë i çdo banori në çdo cep të Shijakut. Por të paktën të luftoni për vendin e dytë. Te legalizimet duhet shumë fokus, nuk ka justifikim.”, tha Rama.

Më pas ai kërkoi gjithashtu edhe rezultate më të mira në platformën e bashkëqeverisjes.

“Në mbyllje, është një plagë që ka të bëjë me nivelin e ulët të ndërveprimit dhe përgjigjes ndaj qytetarëve. Në platformën e bashkëqeverisjes, e krijuar për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve që pa pasur nevojë të shkojnë lart e poshtë, direkt ta çojnë në majë ankesën dhe i gjithë rrjeti i koordinatorëve gjen përgjigjen e duhur për qytetarin. Të shihet se çfarë duhet të rregullohet në aspektin e procedurës. Pse nuk ka asnjë bashki që këtë platformë ta ketë ekselente?“, shtoi kryeministri./abcnews.al