Lirohet me kusht biznesmeni i akuzuar për vrasjen e gazetares malteze Galizia

schedule12:38 - 22 Nëntor, 2019

schedule 12:38 - 22 Nëntor, 2019

Biznesmeni maltez Jorgen Fenek, i dyshuar si urdhëruesi i vrasjes së gazetares Galicia, është lënë në liri me kusht. Lajmi shkaktoi shumë zemërim dhe polemika kryesisht në rrjetet sociale në Maltë.

Lihet në liri me kusht biznesmeni maltez Jorgen Fenek, i dyshuar se është urdhëruesi i vrasjes së gazetares Dafne Karuana Galicia.

Lajmi është publikuar nga “The Times of Malta”, duke theksuar se biznesmeni do të merret sërish në pyetje. Fenek u arrestua të mërkurën teksa përpiqej të largohej nga ishulli me jahtin e tij, me idenë për të shkuar në Itali ose Greqi.

Lirimi i tij, dhe pse me kusht dhe nën vëzhgimin e policisë, shkaktoi zemërim në rrjetet sociale, me shumë mesazhe të cilat vënë në dyshim vullnetin e qeverisë malteze për të zbardhur ngjarjen.

Ditën e arrestimit të Fenek, selia e qeverisë së Maltës u rrethua nga një zinxhir njerëzor, në një protestë të re për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Muskat. Ky i fundit konfirmoi se Fenek është i dyshuari kryesor për vrasjen e gazetares./abcnews.al