Abissnet Superiore/ Teuta mund bindshëm Tiranën, Vllaznia bën “paqe” me Elbasanin në “Loro Boriçi”

schedule20:56 - 6 Tetor, 2024

schedule 20:56 - 6 Tetor, 2024

Me përfundimin e sfidave Teuta-Tirana e Vllaznia-AF Elbasani është mbyllur edhe sipari i javës së tetë të Abissnet Superiore.

Kështu, Teuta ka mundur “Bardheblutë” me rezultatin e thellë, 3-1, në “Niko Dovona”, me “Djemtë e Detit”, që shënuan tre herë me Krujën, Torrajn dhe egjiptianin Nasr, për t’i dhënë Bledi Shkëmbit disfatën e parë në stolin e Tiranës, me golin për këta të fundit që e shënoi Ismajli.

Në krahun tjetër, “Kuqeblutë” e Shkodrës kanë mbyllur çdo gjë në barazim, në “Loro Boroçi”, përballë “Verdhebluve” të Elbasanit, ku edhe pse pati shumë raste shënimi, në fundin e 90 minuta tabela e rezultatit tregoi shifrat 0-0.

Falë këtyre rezultateve, Vllaznia ngjitet në vendin e dytë të tabelës, me 14 pikë, një më pak se “Demat” e Partizanit. Elbasani renditet në vendin e pestë me 13 pikë, po aq sa Teuta e një vendi më poshtë, ndërsa Tirana pozicionohet në vendin e nëntë të tabelës, me 9 pikë, pas 7 javëve të para të kampionatit. /i.m /abcnews.al