SHQIPËRI- Një familje shqiptare me rreth 4 anëtarë në Shqipëri shpenzon 91 mijë e 500 lekë në muaj. Nga kjo shumë, 36 mijë lekë ose 39.6% e totalit, përdoren vetëm për ushqime. Anketa e buxhetit të familjeve për vitin 2023 tregon ndër të tjera se kosto e jetesës është rritur me 3 mijë e 300 lekë.
Por qytetarët shqiptarë shtojnë shpenzimet e luksit. Sipas INSTAT rezulton se gjatë vitit 2023, familjet në vend kanë kanë shpenzuar më shumë për trajtimin personal siç janë shërbimet estetike apo edhe parukeri e higjienë.
Pesha e këtyre shpenzimeve është rritur me 6.2 për qind në buxhetin familjar. Po kështu nga portofoli mujor qytetarët kanë harxhuar më shumë edhe për mobilimin e banesave si dhe shërbimeve për mirëmbajtjen e shtëpisë.
Tirana është qarku që rezulton se ka shpenzimet mesatare më të larta në vend me rreth 108 mijë lekë në muaj, dhe është i vetmi mbi mesataren, ndjekur nga Korça dhe Durrësi përkatësisht me 91 mijë dhe 89 mijë lekë në muaj.
Dibra dhe Kukësi rezultojnë qarqet me nivelin më të ulët të shpenzimeve përkatësisht 74 dhe 73 mijë lekë në muaj./abcnews.al