Brenda 30 ditëve Shqipëria do të ketë emrin e ri të Prokurorit të ri të Përgjithshëm me mandat të plotë 7-vjeçar.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të dërgojë sot në Kuvend listën me tre kandidatët për Kryeprokuror. Pas intervistimit nga KLP-ja dhe renditjes së kandidatëve, e vetmja që paraqit ankesë për renditjen ishte Arta Marku.
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku kërkoi të ankimonte në Gjykatën Administrative të Apelit rënditjen e bërë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për 3 kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm. Në këtë listë Marku u rendit e dyta me 406 pikë, pas Olsian Çelës, që ishte i pari me 459 pikë.
Arta Marku i kërkoi KPL-së t’i vendosë në dispozicion pikëzimin e detajuar për secilin anëtar dhe secilin kriter.
Tashmë emrat do i shkojnë Kuvendit për të zgjedhur mes tre kandidatëve. Prokurori i Përgjithshëm do zgjidhet me tre të pestat e votave.
Nëse parlamenti dështon në zgjedhjen e njërit prej tre kandidatëve, brenda 30 ditëve nga marrja e propozimeve, atëherë emërohet automatikisht ai që është i renditur i pari në listë, pra Olsian Çela.
Njoftimi i KLP:
Njoftim
Lënda: Dërgohet vendim nr.236 datë 14.11.2019 i KLP “Për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.
KUVENDIT TË SHQIPËRISË
Z. GRAMOZ RUÇI
KRYETAR
T I R A N Ë
I nderuar Z.Ruçi,
Në mbështetje të nenit 148/a pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”, ligjit nr .97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”; Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në mbledhjen e tij të datës 14.11.2019 ka miratuar vendimin nr.236 “Për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”. Me mbarimin e afatit të ankimimit më datë 21.11.2019, rezultoi se asnjë nga kandidatët në këtë proces nuk ka ushtruar të drejtën e ankimit.
Për sa më sipër në bazë të nenit 34 dhe 35, të ligjit nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe tё nenit 21 pika 6 të Rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”; bashkëlidhur Ju përcjellim vendimin nr.236 datë 14.11.2019 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe relacionin shpjegues, si pjesë përbërëse të tij.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin
KRYETARI
GENT IBRAHIMI
/abcnews.al