Dhuna në parlament/ Ministri Hoxha: Do referohet në SPAK! Çdo akt vandalizmi i ndëshkueshëm ligjërisht

schedule10:14 - 1 Tetor, 2024

schedule 10:14 - 1 Tetor, 2024

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha i ka cilësuar akte vandalizimi dhe të papranueshme sjelljet e dhunshme të deputetëve të opozitës në Kuvend gjatë seancës së 30 shtatorit. Hoxha shprehet se dhuna e deputetetëve opozitar përdhos ndjenjat e qytetarëve.

“Flakët e zjarrit, pasditen e djeshme, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, që është tempulli më i lartë i një sistemi demokratik, janë akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi. Kuvendi mbetet thelbi i shprehjes së vullnetit dhe besimit të votuesve, ndaj çdo akt vandalizmi brenda apo në dyert e tij, është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht. Në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit.”

Pasi mblodhi provat në Kuvend, Policia e Tiranes, të martën, ka proceduar penalisht dhe ka referuar në SPAK 23 deputetët të opozitës

Konkretisht deputeti I PD, Flamur Noka, është referuar nga policia në SPAK, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”. Sipas policisë nga këqyrja e pamjeve filmike, Flamur Noka, ka hedhur një shishe me lëndë djegëse duke iu vënë flakën karrigeve në oborrin e kuvendit, ndërsa po ashtu Noka ka hedhur sende të forta, në drejtim të anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Kreu i grupit parlamentar Gazmend Bardhi, është referuar në SPAK, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”. Në  pamjet filmike Bardhi duket teksa hedh një pjesë karrigeje të thyer drejt Kryetares së Kuvendit.

Po ashtu Bledion Nallbatin, eshte kallezuar në SPAK, për  “Shkatërrimi te pronës me zjarr” pasi ai sëbashku me Flamur Nokën, kanë djegur karriget në oborrin e kuvendit.

Për 20 deputetët e tjerë të opozitës që u bënë pjesë e akteve të dhunë duke dëmtuar foltoren e Kuvendit, materialet në SPAK janë referuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”./abcnews.al