Pas suksesit të Lojërave Olimpike, ekonomia franceze është sërish në rënie

schedule13:27 - 23 Shtator, 2024

schedule 13:27 - 23 Shtator, 2024

Pas rritjes së gushtit për shkak të organizimit të Lojërave Olimpike, ekonomia franceze është sërish në rënie, ky është përfundimi i raportit të publikuar nga ‘Markit Economics’.

Sipas vlerësimit të parë paraprak, indeksi i përbërë i menaxherëve të blerjeve (PMI) në Francë ra në shtator nga 53.1 pikë në gusht në 47.4 pikë, që është më i ulëti për tetë muajt e mëparshëm.

Tregjet prisnin një rënie shumë më të butë të shtatorit në 50.6 pikë.

PMI është një parametër i përdorur si tregues i aktivitetit ekonomik dhe një rezultat nën 50 tregon se ekonomia është në një gjendje tkurrjeje, pra në rënie të aktivitetit ekonomik.

Indeksi i menaxherëve të blerjeve në sektorin e shërbimeve ra në shtator nga 55 pikë të gushtit në 48,3 pikë, dhe PMI në sektorin prodhues francez është 43,9 pikë, që është praktikisht i pandryshuar në krahasim me 44 pikët e gushtit.

“Është një realitet i trishtuar. Rritja e fortë e ekonomisë franceze e regjistruar në gusht u zhduk në shtator,” tha ekonomisti i Hamburg Commercial Bank (HCOB) Tariq Kamal Chaudhry.

Sipas tij, situata politike në Francë është ende e paqëndrueshme pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe emërimit të Michel Barnier si kryeministër, pasi nuk ka një shumicë të qartë parlamentare për të zbatuar reforma të rëndësishme ekonomike që mund të ringjallin industrinë.

Bazuar në rezultatet aktuale, banka tregtare e Hamburgut parashikon se ekonomia franceze do të ngecë në tremujorin e tretë të 2024 në krahasim me tremujorin e mëparshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!