Kyrian Nwabueze, sulmuesi i Laçit, ka spikatur deri më tani duke shënuar 12 gola në po kaq javë të Superiores. Javët e fundit ai u kthye në një makineri goli, duke shënuar 8 gola në pesë ndeshje. Në tre prej tyre, kundër Teutës, Vllaznisë dhe Skënderbeut, ka shënuar nga dy herë.
Nwabueze deri më tani u ka shënuar shtatë skuadrave të Superiores. Pas 12 javësh kampionati, amerikani i Laçit nuk ka gjetur rrugën e rrjetës ndaj Partizanit dhe Bylisit. Të kuqtë janë kundërshtari i radhës për bardhezinjtë e drejtuar nga Armando Cungu.
Sigurisht që Nwabueze do mundohet të shënojë dhe të ndihmojë skuadrën e tij. Ai e ka thënë shpesh se objektivi i tij kryesor janë fitoret e Laçit, por nuk e ka fshehur dëshirën të fitojë “Këpucën e Artë”.
Deri më tani Skënderbeu ka qenë “gjahu” i preferuar, teksa korçarëve u ka realizuar tre gola. Më pas vijnë Kukësi, Vllaznia dhe Teuta, skuadra të cilave u ka shënuar nga dy herë, për të vijuar me Luftëtarin, Tiranën dhe Flamurtarin, ekipe këto që kanë parë t’u tundet rrjeta nga Nwabueze. /abcnews.al