Ilir Meta i ka dalë në krah aleatit të tij Sali Berisha, që të mërkurën doli nga SPAK si i pandehur për korrupsion pasiv.
Presidenti i Partisë së Lirisë doli në një deklaratë para mediave, për të shprehur mbështetje për Berishën, që njësoj si ai, e cilëson strukturën Anti-korrupsion një organizatë kriminale dhe vendimin për ta shpallur të pandehur, i diktuar politikisht.
“Vendimi i djeshëm i organizatës kriminale mercenare, SPAK nën drejtimin e Altin Dumanit, për të marrë të pandehur pa prova, pa dëshmi, pa fakte dhe pa dokumente, liderin historik të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha nuk është gjë tjetër veçse një akuzë e mirëfilltë politike e diktuar dhe e paracaktuar nga Edi Rama, në funksion të agjendës së tij elektorale”
Ndërsa në SPAK ka hyrë e ka dal vetë disa herë, Meta mendon se qëllimi i vetëm i kësaj strukture të drejtësisë, është goditja e opozitës së vendit.
“Shërbimi i verbër që SPAK-u po i bën narkoshtetit duke goditur drejtuesit e opozitës dhe mbrojtur hapur korrupsionin skizofrenik dhe lidhjet e tmerrshme kriminale të Edi Ramës është një poshtërim flagrant i sistemit të drejtësisë dhe integritetit të tij”
Me çështjen e Sali Berishës, Ilir Meta ka gjetur dhe një arsyeje për të sulmuar drejtpërdrejtën kreun e SPAK, Altin Dumanin, madje duke e vënë në krahasim edhe me Nuredin Dumanin, që konsiderohet si ndër personazhet më të rrezikshëm.
-Ky vendim pa asnjë baze ligjore ndaj Sali Berishës në vitin elektoral përfshirë izolimin dhe pamundësimin e aktivitetit të tij si lider i Partisë Demokratike dhe si deputet, është dëshmi e qartë se SPAK nën drejtimin e Dumanit është shndërruar në një “vrasës me pagesë” më i egër dhe më i padenjë se vetë Nuredini”.
Sulmet ndaj Altin Dumanit kanë qenë të zakonshme nga zyrat e Partisë së Lirisë, nga vetë Ilir Meta, i cili është në hetim pasuror nga SPAK, së bashku me ish-bashkëshorten Monika Kryemadhi.
/abcnews.al/