“Izraelitët, të mirëpritur në Shqipëri”/ Rama me presidentin e Izraelit: Bashkëpunimi ekonomik ka potencial të jashtëzakonshëm

schedule14:10 - 12 Shtator, 2024

schedule 14:10 - 12 Shtator, 2024

Kryeministri Edi Rama deklaroi se populli izraelit është i mirëpritur në Shqipëri.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, Rama u shpreh se bashkëpunimi ekonomike mes dy vendeve, ka potencial të jashtëzakonshëm.

Rama e cilësoi Herzog, mik të shqiptarëve.

“Jam shumë i prirur të theksoj se ndërkohë që këto janë kohë mjaft të vështira për Izraelin, për popullin e tij e për të gjithë popujt që jetojnë në atë kënd të botës, e ardhmja do të jetë me siguri një e ardhme e një Izraeli më të fortë e më të sigurt e pa asnjë dyshim në një rajon më të begatë e më të paqtë e vizionar. Ndërkohë jemi këtu krahëhapur për të mirëpritur të gjithë izraelitët që duan të vijnë, qofshin turistë a sipërmarrës, artistë, shkrimtare, qofshin njerëz që merren me teknologji të lartë apo qoftë dhe ata në moshë më të vjetër që duan të kenë shtëpinë e tyre këtu në zemër të Europës, në breg të dy deteve rrethuar nga shumë lumenj, në një natyrë ku gjen gjithçka brenda një hapësirë shumë të vogël të një vendi po kaq të vogël sa Shqipëria.

Bashkëpunimi ekomomik midis dy vendeve ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar me shpejtësi. Prirjet janë mjaft inkurajuese dhe të dukshme, por natyrisht është afër mendsh që mund të bëjmë shumë më tepër. Në fund, jam shumë, shumë i lumtur që më së fundi kam Presidentin këtu si mik, jo vetëm si President i Izraelit, por edhe si një mik shumë i dashur dhe i vjetër që kam pasur privilegjin ta njoh shumë kohë më parë, kur ishte në llogoret e politikës së ditës në Izrael dhe është një kënaqësi e vërtetë të kesh mundësi të ulesh me të, ta dëgjosh dhe të mësosh prej tij. Një njeri mjaft i mençur, i shquar, një njeri me përvojë, i cili ka në zemër miqësinë me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar dhe jam i sigurt që pas kësaj vizite do të jetë më i motivuar që të nxitë forcimin edhe më shumë të kësaj marrëdhënie të rëndësishme. Faleminderit zoti president sërish”, theksoi Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!