Manastirliu uron vitin e ri shkollor: Suksese në këtë rrugëtim të bukur. Kemi punuar që të mësoni në shkolla edhe më moderne

schedule10:06 - 9 Shtator, 2024

schedule 10:06 - 9 Shtator, 2024

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu ka përcjellë një mesazh për të gjithë nxënësit dhe mësuesit për nisjen e vitit të ri shkollor. Teksa iu uroi nxënësve një fillim viti shkollor të mbarë, ministrja Manastirliu përmendi edhe investimet e shumta që janë bërë në objektet arsimore në të gjithë vendin.

Manastirliu tha se janë rindërtuar 25 shkolla ndërsa po investohet edhe në 100 objekte arsimore të tjera.

“Të dashur nxënës dhe mësues. Sot fillojmë këtë rrugëtim të vitit të ri shkollor së bashku dhe jam po aq e emocionuar sa ju sepse cdo vit sjell sfida dhe mundësi të reja për të gjithë. 350 mijë nxënës sot ulen në bankat e shkollës dhe ndërsa rreth 28 mijë e kalojnë për herë të parë pragun e shkollës. Të dashur nxënës të klasave të para shkolla është vendi ku do të mësoni dhe zhvilloni botën dhe më e rëndësishmja të ndërtoni të ardhmen tuaj. Kemi punuar fort që këtë vit të keni mundësinë që ju të mësoni në shkolla edhe më moderne. Dhe mësuesit të jenë edhe më të motivuar, që shkollat të jenë edhe më shumë të pajisura me materiale didaktike të nevojshme, të cilat do të ndihmojnë të zhvillojnë intelektin dhe personalitetin tuaj që nga fillimi i shkollimit gjatë gjithë edukimit tuaj. Mundësuam tekstet shkollore falas për 238 mijë nxënës të shkollave nën vjecare dhe për 18 kategori të vecanta të nxënësve në gjimnaze. 25 shkolla të rindërtuara që mirëpresin 10 mijë nxënës dhe mësues. Vetëm përgjatë këtij viti kemi investuar dhe po investojmë në rindërtimin dhe rehabilitimin e 100 objekteve arsimore në vend. Në një epokë ku teknologjia po ndryshon mënyrën se si punojmë, kemi hyrë në një fazë të rëndësishme për të mësuar aftësi dixhitale, kreative dhe nxitjen e mendimit kritik. Këtë vit 200 shkolla 9 vjeçare janë pajisur me 216 laboratorë smart, duke u dhënë nxënësve të mësojnë përmes kurrikulës së TIK. Rrugëtimi juaj drejt dijes nuk është vetëm i juaji por edhe i prindërve dhe mësuesve.

Ky vit i ri i gjen mësuesit me paga të rritura, me 30 mijë mësues të kenë pagë dinjitoze. Vlerësimi dhe mbështetja për mësuesit janë thelbësore. ndaj vec mbështetjes financiare, do të zhvillojmë programe trajnimi falas për të rritur kompetencat e mësuesve me synim që mbi 16 mijë mësues të trajnohen përmes programit kombëtar të zhvillimit profesional. Këtë vit do të kemi zhvillime të reja brenda shkollës përmes roleve të reja të mësuesve. 640 mësues do të angazhohen si koodinatorë të sigurimit të cilësisë për mësimdhënies dhe orientimin e karrierës, bazuar në evidentimin e prirjeve dhe talenteve në cdo shkollë, duke iu ndihmuar ju dhe prindërit në zgjedhjet që do të bëni për të ardhmen tuaj. Prioritet i yni është edukimi gjithëpërfshirës dhe i barabartë për të gjithë. Këtë vit kemi rritur numrin e mësuesve ndihmës me 200 mësues, duke e cuar në 2100 numrin e tyre total që garantojnë mbështetje për nxënësit me aftësi të vecanta. Krijimi i mundësive për një stil jetese të shëndetshëm dhe aktiv për nxënësit është i rëndësishëm. Për këtë arsye po investojmë në terrene sportive dhe palestra në shkolla si pjesë e lëvizjes sportive, programi kombëtar që tashmë ka përfshirë mbi 10 mijë nxënës për të zgjeruar këtë pogram. Ju uroj të gjithë suksese në këtë rrugëtim të bukur që sapo ka nisur”, u shpreh Manastirliu.

/abcnews.al