Avokati i Hunter Bidenit: Djali i Presidentit do të ndryshojë deklarimin mbi akuzat për evazion fiskal

schedule21:39 - 5 Shtator, 2024

schedule 21:39 - 5 Shtator, 2024

Hunter Biden planifikon të ndryshojë deklarimin në gjyqin nën akuzat për mospagim taksash, duke pranuar fajësinë, tha avokati i tij mbrojtës të enjten, ditën kur pritej të fillonte zgjedhja e jurisë.

Avokati mbrojtës Abbe Lowell njoftoi gjykatësin për planet e zotit Hunter Biden për të ndryshuar deklarimin e tij të mëparshëm për mospranim të fajësisë, vetëm disa muaj pasi djali i presidentit u shpall fajtor në një gjyq tjetër nën akuzat për shkelje të ligjit të armëmbajtjes.

Gjyqi po zhvillohet në Los Anxhelos. Hunter Biden përballet me akuza federale për një skemë katërvjeçare për të shmangur pagimin e të paktën 1.4 milionë dollarëve në taksa, ndërkohë që ai paguhej miliona dollarë nga biznese të huaja. Ai tashmë po përballet me burgim të mundshëm pasi një juri në shtetin Delauer e shpalli atë fajtor nën akuzat se ai kishte gënjyer në një formular federal të vitit 2018 për blerjen e një arme, që ai e mbajti për 11 ditë.

Hunter Bideni hyri në sallën e gjyqit me bashkëshorten e tij, Melissa Cohen Biden dhe i rrethuar nga agjentë të Shërbimit Sekret. Fillimisht, ai ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat për evazion fiskal nga viti 2016 deri në 2019 dhe avokatët e tij kishin thënë se do të argumentonin se ai nuk ka vepruar “me dashje” ose me qëllim për të shkelur ligjin, pjesërisht për shkak të varësisë nga droga dhe alkooli.

Vitin e kaluar dështoi një marrëveshje paragjyqësore e Hunter Bidenit me prokurorët, sipas së cilës, ai binte dakord të pranonte fajësinë për shmangie të pagimit të taksave, dhe Departamenti i Drejtësisë, në shkëmbim, nuk do ngrinte akuzën për armëmbajtje pa leje. Marrëveshja nuk u pranua nga gjykatësi, që vuri në dyshim disa aspekte të pazakonta të saj. Më pas autoritetet e paditën në të dyja rastet.

Vendimi i tij për të ndryshuar deklarimin mbi çështjen e evazionit fiskal, erdhi pasi gjykatësi lëshoi disa vendime të pafavorshme paraprake për mbrojtjen, duke përfshirë refuzimin e dëshmisë nga një ekspert i mbrojtjes mbi varësinë nga droga dhe alkooli.

Gjykatësi Mark Scarsi, i cili u emërua nga ish-presidenti Donald Trump, vendosi disa kufizime mbi atë që anëtarët e jurisë do të lejoheshin të dëgjonin për ngjarjet traumatike që familja, miqtë dhe avokatët e Hunter Biden-it thonë se çuan në varësinë e tij nga droga.

Gjykatësi i ndaloi avokatët të lidhnin varësinë e tij nga drogat me vdekjen e vëllait të tij Beau Biden në vitin 2015 nga kanceri, ose me aksidentin me makinë që i mori jetën nënës dhe motrës së tij, kur ai ishte i vogël.

Aktakuza pretendonte se zoti Hunter Biden bënte jetë luksoze duke shkelur ligjin e taksave, duke shpenzuar paratë e tij për të qëndruar në hotele luksoze dhe gjëra të tjera, “me pak fjalë, për gjithçka tjetër veç pagimit të taksave”.

Avokatët e djalit të Presidentit Biden i kishin kërkuar gjyqtarit Scarsi që të mos lejonte prokurorët të nxjerrin në pah detaje të shpenzimeve të tij, duke përfshirë pagesat e bëra për faqe interneti me përmbajtje pornografike. Kjo sipas tyre do të shkatërronte imazhin e tij. Gjykatësi, përmes dokumenteve të gjykatës, njotoi se ai do t’i nën mbajë “kontroll të rreptë” paraqitjen e provave potencialisht të dëmshme.

Nëse do të lejoheshin, prokurorët mund të kishin paraqitur më shumë detaje të marrëveshjeve të zotit Hunter Biden jashtë shtetit. Këto marrëveshje kanë qenë në qendër të hetimeve republikane për familjen Biden. Republikanët shpesh, pa ofruar dëshmi, bëjnë përpjekje t’i lidhin këto marrëveshje me presidentin, duke e akuzuar familjen Biden për një skemë të dyshuar të shitjes së ndikimit në politikën amerikane.

Ekipi i prokurorit të posaçëm ka thënë se dëshiron t’u tregojë anëtarëve të jurisë për punën e zotit Hunter Biden për një biznesmen rumun, i cili sipas tyre, u përpoq të “ndikonte në politikën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara” ndërsa babai i tij Joe Biden ishte nënpresident.

Mbrojtja thotë se prokurorët i publikuan detajet në lidhje me punën e Hunter Biden-it për rumunin para fillimit të gjyqit për të nxitur mbulimin mediatik dhe për të ndikuar tek anëtarët e jurisë.

Dhënia e dënimit në gjyqin tjetër ndaj Hunter Bidenit, ku ai u shpall fajtor, është caktuar për më 13 nëntor. Ai mund të dënohet deri në 25 vjet burg, por meqë ky është rasti i parë i shkeljes së ligjit, ka të ngjarë që ai të dënohet me shumë më pak vite burg, ose ta shmangë plotësisht burgun./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!