Detyronte personelin të pinin alkool në punë, telashe për kompaninë

schedule13:29 - 19 Nëntor, 2019

schedule 13:29 - 19 Nëntor, 2019

Personeli i një kompanie franceze të pijeve alkolike, ka hedhur në gjyq kompaninë me akuzën se i detyron punonjësit të konsumojnë alkol gjatë orarit të punës. Disa prej tyre pretendojnë se ushtrohet një presion i madh dhe ai që nuk pranon nuk është i vlerësuar nga eprorët.

Kompania franceze e verërave dhe pijeve alkoolike Pernod Ricard, prodhuese e verës së njohur Pastis, është hedhur në gjyq nga disa prej nënpunësve të saj, me një akuzë të vecantë: kompania u ka bërë presion që ata të pinë alkool në vendin e punës, duke i dëmtuar shëndetin dhe duke bërë që disa prej tyre të bëhen të varur nga alkoli.

Britanikja “The Guardian” raporton se një ish shitës i kompanisë, pretendon se ka qenë i detyruar të pijë deri në 12 gota pije alkolike në ditë, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, shumë herë.

Një tjetër shitëse tregoi për francezen “Le Parisien” se si personeli ka qenë i detyruar të pijë në orarin e drekës, pas mbledhjeve dhe në darkë; por dhe gjatë takimeve me klientët.

Konsumi i vazhdueshëm i alkolit ka shkaktuar pasoja negative te një pjesë e personelit, ku disa prej tyre pretendojnë se kanë alucinacione dhe se dëgjojnë zëra.  Shitësja u shpreh se kjo është kultura e kompanisë dhe nëse thua jo, atëherë nuk je shumë i vlerësuar.

Ajo madje u shpreh se disa herë ishte detyruar të derdhte pijen në vazot me lule, për të mos pirë më. Akuzat janë përgënjeshtruar menjëherë nga kompania, e cila sqaron se konsumi ose jo i alkolit është një vendim personal. Gjithësesi vendimi i gjykatës do të jepet në fund të muajit./abcnews.al