Sesioni i ri parlamentar/ Krashi: PS, gati për një mandat të katërt, shpresojmë që opozita të reflektojë

schedule13:25 - 2 Shtator, 2024

schedule 13:25 - 2 Shtator, 2024

Deputeti i Partisë Socialiste Lavdrim Krashi në një intervistë në “Tirana Live” foli në ABC News, për nisjen e sesionit të ri parlamentar në vend.

“Ky është një sesion i rëndësishëm sepse është i fundit para zgjedhjeve parlamentare 2025 dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme”, u shpreh ai.

Gjatë kësaj interviste, Krashi tha se tashmë Partia Socialiste ka treguar se është gati për një mandat të katërt.

“Me rëndësi për qytetarët është alternative që paraqet secila prej grupimeve. Me shumë krenari PS do t’i paraqesë qytetarëve të gjitha arritjet. Edhe pse jo çdo gjë ka shkuar mirë, por aty ku ka dobësi do të punohet fort për t’i përmirësuar dhe paraqitur qytetarëve shqiptarë një alternative të fortë që qytetarët ti besojnë edhe një mandat tjetër”, tha ai.

Ndërsa komentoi edhe mesazhin e presidentit Bajram Begaj, për nisjen e sesionit të ri parlamentar drejtuar deputetëve, Krashi tha se PS ka qenë gjithmonë e hapur për të dialoguar.

“Opozita ka rolin e saj ashtu sikurse ka edhe mazhoranca. Ne kemi hyrë në një fazë të politikës shqiptare, ku me rëndësi është dialogu. Në fund vlerësimin e japin qytetarët shqiptarë. Mazhoranca ka treguar se është e hapur edhe ndaj propozimeve që vijnë nga opozita. Ne shpresojmë që të vijnë me një frymë të re”, tha ai.

/abcnews.al/