Pushimet për politikën kanë përfunduar. E Hëna e 2 Shtatorit ka nisur me një mbledhje të socialistëve, për anagazhimin e tyre në sesionin e ri parlamentar. Një ditë pas takimit “retreat” të thirrur nga Kryeministri Rama, të mbajtur prej më shumë se tetë orësh në vilën qeveritare në Dajt, mbledhja e së hënës është drejtuar nga kryetari i ri i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi. Pas porosive, të cilat u përmblodhën në thuajse 30 minuta, një pjesë e maxhorancës dhe opozitës u bënë bashkë në konferencën e Kryetarëve.
Seanca e ardhshme e së enjtes do të ketë në rend dite interpelancën e kërkuar nga Partia Demokratike për akuzat lidhur me ngarkesat e kompanisë Kurum nga Durrësi drejt Tajlandës. Po ashtu në sesionin e 12 shatorit, ,maxhoranca dhe opozita kanë gjetur dakordësi për të diskutuar për mandatin e deputetes Olta Xhacka.
Në këtë sesion të ri, ligjvënësit do të përballen me çështje të vjetra, një prej të cilave është edhe reforma zgjedhore, për të cilët palët politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, me qëllim përmbushjen e rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
Seanca e orës 17 nuk ka çështje të përcaktuara në rendin e ditës për diskutim, por do të tregojë qasjen e kampit blu në këtë sezon të ri politik pas mbylljes me zhurmë dhe kaos në sesionin e fundit parlamentar në Korrik.