Një 38 vjeçar shqiptar dhe një turk u arrestuan nga efektivët e komisariatit nr.1 të Tiranës për një skemë mashtrimi, me qëllim përvetësimin e një automjeti luksoz me vlerë 200 mijë euro.
Shqiptari i arrestuar është Elvis Kosova, një personazh i njohur në rrjetet sociale për makinat luksoze që ai posedon.
Mësohet se shtetasi turk, i cili kishte marrë me qira një automjet tip audi në Gjermani, ka ardhur në Tiranë dhe ka bërë kallëzim të rremë se ia kishin vjedhur në një hotel në kryeqytet.
Por nga hapja e kamerave të sigurisë së hotelit është zbuluar edhe mashtrimi i shtetasit turk. Nga pamjet ka rezultuar se ai nuk ka qenë në hotel me automjetin në fjalë, sikurse ka pretenduar që ia kanë vjedhur.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 39 vjecari turk, ia ka dhënë automjetin Elvis Kosovës dhe ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e tij, për qëllime përfitimi.
Automjeti u gjet nga efektivët e policisë i parkuar në oborrin e një banese në fshatin Prush. Mjeti u sekuestrua nën cilësinë e provës materiale së bashku me 4 aparate celulare, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i banesës për moskallëzim./abcnews.al