Hidhen themelet e teatrit të ri/ Veliaj: Godina do marrë formë brenda vitit të ardhshëm

schedule11:48 - 3 Gusht, 2024

schedule 11:48 - 3 Gusht, 2024

Themelet e teatrit te ri kombëtar po shkojnë drejt fundit. Kryebashkiaku Veliaj inspektoi punimet në qendër të Tiranës, së bashku me një grup aktoresh të njohur, për të parë nga afër ecurinë e tyre dhe për t’i vënë në dijeni me planin e mëtejshëm të punëve, sipas të cilit parashikohet që godina të ketë marrë formë brenda vitit të ardhshëm.

“Ky ka qenë një projekt shumë, shumë kompleks, shumë i debatuar, shumë i politizuar, por çdo krizë është edhe një mundësi. Mundësi për ta përmirësuar, mundësi për ta sqaruar më mirë, edhe mundësi për ta verifikuar se projekti po ndodh. Më vjen mirë që nuk ceduam as një cm2 te toka e teatrit; më vjen mirë që nuk ceduam as te propozimi për ta çuar te “Bregu i Lumit”, siç thoshin disa. Ky është një investim për 100 vitet e ardhshme, ndaj mezi pres që brenda vitit tjetër ta kemi mbaruar edhe karabinanë, ndërkohë paralelisht do të fillojmë me lotin e dytë, do hapim garën për pajisjet teknologjike, inxhinierike, audio, video, foni, fasada metalike, fasada xhami; pra, e gjithë pjesa e formës së betonit që është ajo perdja simbolike e kapur e skenës”.

Kryebashkiaku vlerëson faktin se teatri nuk humbi asnjë cm toke, pavarësisht politizimit që iu bë këtij projekti, i cili sipas Veliajt, do të jetë një investim për 100 vitet e ardhshme.

“Ju falënderoj shumë për besimin, por edhe për kritikat. Ne nuk jemi lidhur se binim të gjithë dakord, por jemi lidhur fillimisht sepse kishim opinione të ndryshme dhe gjetja e një të mesme të përbashkët, ku praktikisht këmbëngulja e aktorëve për katin -1, që të kishte dhe parkingun, edhe akses nga rruga kryesore, jo vetëm një akses këmbësor, por edhe për makinat, janë gjëra që e përmirësuan projektin. Kur ka një kritikë të shëndoshë, unë besoj se e gjejmë gjuhën. Kur kjo bëhet për inat, për të bllokuar dhe futet në mes edhe politika, pastaj është një humbje spektakolare kohe, siç ishin këto 30 vitet e fundit. Do mundohemi të bëjmë në 30 muaj, atë që humbëm në 30 vite”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!