Kremlini zotohet për masa të ndërsjella nëse SHBA vendos raketa në Gjermani

schedule15:42 - 29 Korrik, 2024

schedule 15:42 - 29 Korrik, 2024

Presidenti Vladimir Putin, thotë se Rusia mund të dislokojë armë të reja sulmuese në përgjigje të një plani amerikan për vendosjen e raketave në Gjermani. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë sinjalizuar kohët e fundit gatishmërinë për të dislokuar armë me rreze të mesme veprimi që ishin të ndaluara për dhjetëra vite në bazë të një traktati të periudhës së Luftës së Ftohtë.

Televizioni shtetëror rus transmetoi të dielën festimet në Shën Petersburg me rastin e ‘Ditës së Marinës’. Të pranishëm në festime ishin drejtues të lartë nga 31 vende, përfshirë Kinën, Indinë, Iranin dhe Afrikën e Jugut.

Gjatë ceremonisë, marina ruse lëshoi raketa nga anije të ndryshme të flotës së Detit të Zi dhe avionët luftarakë fluturonin në qiell. Ky demonstrim force, bëhet ndërsa kohët e fundit Shtetet e Bashkuara njoftuan një plan të ri për të dislokuar në Gjermani raketa me rreze të gjatë veprimi deri në vitin 2026.

Për vëzhguesit e jashtëm dhe Presidentin Putin, kjo duket si një histori që përsëritet.

“Situata të kujton periudhën e Luftës së Ftohtë. Nëse SHBA-ja zbaton plane të tilla, ne do ta konsiderojmë veten të lirë nga moratoriumi i njëanshëm i vendosur më parë për dislokimin e sistemeve sulmuese me rreze të mesme dhe më të shkurtër. Do të marrim masa të ndërsjella”, tha Presidenti Putin.

Në një deklaratë të përbashkët nga Shtëpia e Bardhë, zyrtarët amerikanë dhe gjermanë thanë se shfrytëzimi i aftësive të përparuara demonstron përkushtimin ndaj NATO-s dhe kontributit të saj për politikën e integruar evropiane për parandalimin e luftës.

Pavarësisht paralajmërimeve të fundit të Kremlinit, Ministria e Mbrojtjes filloi të publikonte video që tregonin prova me raketa balistike ndërkontinentale disa ditë përpara pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

Në atë kohë, Presidenti Putin foli mbi planet për të angazhuar “forcën parandaluese” të ushtrisë ë tij, duke përfshirë një komponent bërthamor. NATO-ja tha se kjo gjuhë ishte e “rrezikshme dhe e papërgjegjshme”.

Që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, fuqitë perëndimore kanë qenë përkrahësit më të mëdhenj të Ukrainës nga ana financiare dhe ndihma ushtarake. Vendet e NATO-s premtuan kohët e fundit një ndihmë shtesë prej 43 miliardë dollarësh për vitin e ardhshëm dhe planet për vazhdimin e mbështetjes.

“Kjo mbështetje do ta bëjë Ukrainën më të fortë dhe më të aftë. Në fakt, gjithçka që po bëjmë, më shumë ndihma ushtarake, marrëveshje sigurie dhe bashkërendim, krijojnë bazat që Ukraina të triumfojë”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Ndërsa Shën Petersburgu dukej i kënaqur nga shfaqja ushtarake, ekspertët shqetësohen se gatishmëria e Rusisë dhe e SHBA-së për të vendosur armë me rreze të mesme veprimi mund të nxisë një garë të re armatimi./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!