Debutim i hidhur për Strakoshën, portieri “kuqezi” pëson 3 gola në kualifikueset e Conference League

schedule16:36 - 25 Korrik, 2024

schedule 16:36 - 25 Korrik, 2024

Në Gjermani ishte i panjollë.

Thomas Strakosha largoi çdo dyshim duke qenë shtyllë e vërtetë për kombëtaren shqiptare në Euro 2024, gjithsesi, “gardiani” që shpëtoi disa herë ekipin në turneun kontinental dhe ishte kandidat i UEFA-s për pritjen më të bukur, nuk pati një debutim për t’u mbajtur mend tek skuadra e tij e re.

Strakosha luajti për herë të parë si “gardiani” i grekëve të AEK Athens dhe kjo në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Conference League ndaj një rivali modest nga Andorra.

Grekët ishin komodë në avantazhin 4-0, por Inter Escaldes reagoi duke shfrytëzuar edhe gabimet e vendasve.

Strakosha pësoi një autogol, pasi nuk u mor vesh me mbrojtësin kroat, Vida e më pas, shkaktoi penallti duke pësuar rrjetën e dytë. Në fund, portieri 27-vjeçar nuk bëri asnjë lëvizje kur skuadra nga Andorra realizoi golin e tretë nga distanca.

Gjithsesi, Strakosha ka shkuar tek AEK-u si portier i afirmuar dhe synon të ketë minutazh e të paraqitet sa më mirë. /i.m /abcnews.al