Një e papritur e madhe ndodhi në Kupën e Anglisë. Fituesi në fuqi, Arsenali, u eleminua nga skuadra e kategorisë së dytë, Notingem Forest
Dikur ka qenë kampion i Europës.
Notingem Foresti ka gati 20 vjet që është zhdukur nga skena e madhe e futbollit, por vendosi të rikthehej në mënyrën e duhur.
Skuadra me emër të shquar, por që ndodhet në kategorinë e dytë, shkaktoi një të papritur të madhe në Kupën e Anglisë, duke eleminuar Arsenalin.
Edhe pse pati përballë fituesen në fuqi të Kupës, Notingemi luajti me besim duke triumfuar 4-2 dhe duke e merituar plotësisht suksesin.
Trajneri I Arsenalit, Arsen Venger, e nënvleftësoi disi kundërshtarin, dhe kishte arsye për këtë.
Notingemi ndodhet në pozitë të vështirë në kategorinë e dytë, ndërsa është edhe pa trajner, por kjo nuk e pengoi që të triumfonte.
Publiku në stadium pati më në fund një mbrëmje të madhe, ashtu si 40 vjet më parë, kur skuadra e tyre ishte në elitën e futbollit anglez dhe atij europian.
Notingem Foresti u shpall kampion I Anglisë në vitin 1978, dhe pastaj fitoi dy herë radhazi Championsin, duke qenë e vetmja skuadër në Europë që ka më shumë tituj në kontinent sesa në vendin e saj.
Sa për trajnerin Venger, kjo ishte një nga disfatat më të hidhura në karrierë, pasi ishte hera e parë që Arsenali I tij eleminohej që në turin e tretë të Kupës.
Londinezët janë në pozitë shumë të vështirë edhe në kampionat dhe duhet të fitojnë Ligën e Europës që të kualifikohen për në Champions sezonin e ardhshëm./abcnews.al