Reali i Madridit hodhi një tjetër hap të gabuar në ligën spanjolle. Barazimi në fushën e Seltës bëri që të mbetej plot 16 pikë prapa Barcelonës kryesuese
Fitorja ishte detyrim, por asnjëherë nuk merret me zor.
Nuk ia doli dot Reali kampion I Spanjës, që pas barazimit në fushën e Seltës, mbeti 16 pikë prapa Barcelonës në La Liga.
Në stadiumin e Vigos, skuadra e trajnerit Zidan vuajti shumë, edhe pse u ndihmua nga uellsiani, Garet Bejl.
Pasi vendasit kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Vas, Bejl tregoi aftësitë e tij duke realizuar dy herë e duke përmbysur rezultatin.
Ka qenë një fatkeqësi për Realin, që ky futbollist ka qenë I dëmtuar për kaq shumë kohë.
Sidoqoftë, vetëm një yll nuk mund të mjaftonte ndaj Seltës, aq më tepër që madrilenët kishin disa mungesa, më kryesoren atë të kapitenit Sergio Ramos.
Mbrojtja ishte më e dobët pa kapitenin dhe Selta e pati më të lehtë të krijonte raste, madje të fitonte edhe një 11-metërsh
Reali ishte sërish me fat që pati në fushë portierin Kejlor Navas, I cili e priti penalltinë, por gjithsesi nuk mundi ta ruante fitoren deri në fund.
Formacioni I Zidanit tregoi edhe një herë se nuk po kalon një formë të mirë, ndërsa Kristiano Ronaldo sërish nuk shënoi dot gol, diçka e pazakonshme për standardet e tij.
Tashmë, kryeqytetasit janë jo vetëm shumë larg Barcelonës kryesuese, por kanë zbritur në vendin e katërt në kampionat, prapa Atletikos dhe Valencias.
Kjo paraqitje është shumë e papritur për skuadrën që është kampione e Spanjës, kampione e Europës dhe kampione e Botës./abcnews.al