Ndahet nga jeta Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati

schedule16:04 - 20 Korrik, 2024

schedule 16:04 - 20 Korrik, 2024

Mitropoliti orthodhoks i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili ka shprehur ngushëllimet komunitetit ortodoks për humbjen e tij

“Sot, besimtarët ortodoksë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës humbën Mitropolitin e tyre, Hirësinë e Tij, Imzot Ignatin. Arvanitas, me origjinë nga Thiva e Greqisë, ai e zotëronte shumë mirë gjuhën shqipe.

Nga viti 1998, deri më sot, në misionin e tij si Mitropolit ai punoi pa u lodhur për ringritjen e kishës, ndihmën e njerëzve në nevojë dhe mbarëvajtjen e harmonisë fetare në vend.

Shpreh ngushëllimet e mia për besimtarët e Mitropolisë së hirshme të Beratit dhe gjithë komunitetit ortodoks të Shqipërisë për humbjen e këtij bariu të kishës!

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Ngushëllime!”, ka shkruar Begaj.

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati (Trianti), ishte arvanitas me origjinë nga Thiva, ku lindi më 1934. Zotëronte gjuhën shqipe. Ai studioi në Shkollën Kishtare “Patmiadha”, si dhe në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës.

Ishte diplomuar gjithashtu edhe në Konservatorin e Pireut. Shërbeu si predikues dhe mësimdhënës laik në Kryepiskopatën e Shenjtë të Athinës.

Më 24 qershor 1992 u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë i Patrikanës Ekumenike Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës. U dorëzua episkop më 27 qershor 1996 dhe u fronëzua nga Kryepiskopi, Fortlumturia e Tij Anastasi, më 18 korrik 1998, në Berat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!