Shumë kulme u tejkaluan në Gjermani.
Euro 2024 ishte jo vetëm kampionati i Spanjës, por edhe i rekordeve, dhe në një radhë të gjatë të tyre, njërin e ka Shqipëria.
Nedim Bajrami është autori dhe pronari i golit më të shpejtë të shënuar ndonjëherë në turne të tillë, që kur ata nisën në 1960, me mesfushorin “kuqezi”, që realizoi ndaj Italisë që në sekondën e 23-të, në ndeshjen e parë në grupin B.
Rekordin e mëparshëm e mbante Dmitri Kirichenko i Rusisë shënuar pas 67 sekondave në Euro 2004 në Portugali.
Disa rekorde janë të Spanjës dhe të spanjollëve.
Kombëtarja “Iberike” u bë e para që i fiton të 7-ta ndeshjet në kampionat, madje pa pasur nevojë për gjuajtjen e penalltive, po ashtu, Spanja arriti një majë të re me golat, duke shënuar 15.
Rekordin e mbante Franca në 1984 me 14 gola, dhe “Gjelat” kanë mesatare më të mirë sepse atëherë u luajtën 5 ndeshje.
Lamine Yamal i Spanjës u bë lojtari më i ri që luan në një Evropian, më i riu që shënon në një turne të tillë, dhe më i riu që luan në një finale në Evropian dhe në Kupën e Botës, duke thyer rekordin e Pelesë.
Cristiano Ronaldo e shtoi edhe më shumë rekordin e tij si lojtari me më shumë pjesëmarrje në Evropian, duke marrë pjesë në 6 të tillë, ndërsa shoku i tij te Portugalia, Pepe, u bë më i vjetri lojtar në Evropian, në moshën 41 vjeç e 130 ditë.
Luka Modric u bë lojtari më i vjetër që shënoi gol në një turne të tillë, duke ia dalë në ndeshjen ndaj Italisë në moshën 38 vjeç e 289 ditë.
Futbollisti i Hungarisë, Kevin Csoboth, realizoi golin më të vonshëm në historinë e Evropianëve në ndeshjet pa dy kohë shtesë, teksa shënoi në minutën e 10’-të shtesë ndaj Skocisë.
Ndeshja Çeki-Turqi në grup, theu rekordin për kartonët në një kampionat.
Në atë sfidë u thanë plot 19 kartonë, 17 të verdhë e dy të kuq, ndërsa rekordi i mëparshëm ishte me 10 kartona në finalen e Euro 2016 mes Portugalisë e Francës.
Së fundi, portieri i Portugalisë, Diogo Costa, vendosi rekordin për më shumë 11-metërsha të pritur në gjuajtjet e penalltive. Ai bëri tre pritje ndaj Sllovenisë në turin e dytë, ndërsa sllovenët u bënë skuadra e parë që i humbi të gjitha gjuajtjet. /i.m /abcnews.al