Donald Trump synon të përshpejtojë bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës nëse fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor, pretendon Viktor Orban, pas bisedimeve që zhvilloi me kandidatin republikan.
Sipas Orban në një letër private drejtuar liderëve të BE-së, pas bisedimeve në Moskë dhe Pekin, kjo perspektivë ka të ngjarë të nënkuptojë se Brukseli do të duhet të rihapë kanalet e komunikimit me Rusinë dhe të fillojë negociatat me Kinën “në një nivel të lartë” që synojnë një zgjidhje paqësore të konflikteve në Ukrainë.
Në të njëjtën letër, Orban citohet të ketë thënë se, pas diskutimeve të fundit me Vladimir Putin, Xi Jinping dhe Volodymyr Zelensky, përfundimi ishte se “intensiteti i konfliktit ushtarak do të përshkallëzohet në mënyrë dramatike në të ardhmen e afërt”.
Udhëtimet e Orban për t’u takuar me Putinin, Xi dhe Trump gjatë dy javëve të fundit, edhe pse vendi i tij mban presidencën e rradhës të BE-së kanë tronditur aleatët e tij si në Bruksel ashtu edhe në NATO.
Shumë kanë frikë se mbështetja e Orban për një zgjidhje paqësore, në një kohë kur Rusia ende kontrollon një pjesë të konsiderueshme të Ukrainës lindore, i sjell përfitim Kremlinit dhe minon qëndrimin e Perëndimit për integritetin territorial të Kievit.
/abcnews.al