Si rallë herë të gjithë janë në një mëndje. Spanja ishte skuadra më e mirë e Euro 2024, kështu që edhe titulli kampion ishte i merituar dhe si konfirmim për këtë janë numrat e regjistruar nga “Furitë e Kuqe”.
Për të besuarit e De la Fuente shtatë fitore në shtatë ndeshje, madje duke dominuar thuajse ndaj gjithë rivalëve, ku përveç sfidës kundër Gjermanisë që u mbyll me golin në fundin e shtesave, të tjerat ishin shfaqe “solo” të “Iberikëve”.
Shifrat nuk gënjejnë dhe ato thonë se Spanja ishte skuadra me kontrollin më të lartë të topit me një mesatare më shumë se 58%, ajo me më shumë sulme dhe me më shumë gola të realizuar, plot 15 të tillë.
Fakt është që realizimet erdhën nga dhjetë lojtarë të ndryshëm dhe se në shtatë ndeshje, të gjithë trofetë e lojtarit më të mirë u fituan nga lojtarët spanjollë dhe analiza për të kuptuar këtë dominim të kampionëve të rinj të Europës është shumë e thjeshtë.
De La Fuente krijoi një skuadar shumë të re në moshë, duke gërshetuar deri në perfeksion freskinë e talenteve si Yamal, Nico Williams, Le Normand apo Olmo me lojtarë me shumë eksperiencë si Carvajal, Morata apo Laporte.
Po ashtu, spanjollët hoqën dorë nga “tiki taka” klasike, duke e ngritur lojën e tyre në një tjetër nivel. Më shumë shpejtësi dhe vertikalizime, që vendosën në vështirësi të gjithë rivalët.
Të gjitha këto nuk janë rastësi, por fryt i një pune të nisur në zinxhirin e skuadrave të moshave ku Spanja ka fituar 2 nga tre turnetë e fundit për ekipet U-17 dhe U-19.
Tani edhe Evropiani rekord, që vlen edhe si një paralajmërim për të gjithë në të ardhmen. Vetëm pas dy vitesh është radha e Botërorit dhe “Furitë e Kuqe” mund të cilësohen që tani favoritë. /i.m /abcnews.al