Dritan Dajti kërkoi lirinë, Gjykata e Elbasanit shtyn seancën

schedule12:40 - 11 Korrik, 2024

schedule 12:40 - 11 Korrik, 2024

ELBASAN-  Gjykata e Elbasanit ka vendosur të shtyjë seancë gjyqësore në ngarkim të Dritan Dajtit, i cili ka bërë kërkesë për lirimin e tij.

Seanca u shty për Dritan Dajtin për arsye teknike pasi vetë i pandehuri kërkoi që nëpërmjet videokonferencës të shihte avokatët e tij që e përfaqësonin në seancë.

Për sa kohë që IT-ja nuk e mundësoi kërkesën e të pandehurit, seanca e radhës u shty për të hënën në orën 13:30.

Dajti ndodhet i izoluar në Burgun e Peqinit, kurse avokati tha se klienti i tij ka shprehur pakënaqësi, që nuk është lejuar të marrë pjesë fizikisht në seancë.

“Prisnim që Dritan Dajti te ishte i pranishëm. Klienti im i shqetësuar pse nuk është lejuar prania në gjykatë”, tha mbrojtja e tij.

Avokati i Dritan Dajtit, Alban Qefa tha se seanca nuk u zhvillua për shkaqe teknike, ndërsa lajmëroi se seanca do të mbahet të hënën, por virtualisht.

“Është vendosur që të mos shoqërohet Dritan Dajti për arsye sigurie në Gjykatën e Elbasanit. Ka bërë një urdhër më pas gjyqtarja që ka shqyrtuar këtë çështje, u ka kërkuar që të zhvillohet në video konferencë, por teknikisht nuk u realizua pasi nuk kishim kushtet teknike. U la detyrë IT-së të sigurojë kushtet për kontaktet ditën e hënë.

Kërkesa është për konstatimin e kryerjes së dënimit. Nuk është kërkesë për lirim, por Dritan Dajti do të dijë se ndodhet në burg”, u shpreh avokati i Dajtit.

Pak ditë pasi Gjykata e Lartë e riktheu në burgim të përjetshëm Dritan Dajtin, ai i është drejtuar me një kërkesë burgut të Peqinit për lirim nga qelia.

Përmes avokatit, Dajti ka drejtuar një kërkesë gjykatës së Elbasanit, ku pretendon se dënimi i tij me 25 vite burg është kryer dhe se institucioni i vuajtjes së dënimit duhet të niste procedurën e lirimit të tij.

Por, sipas vendimit, Dritan Dajti do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë dhe është fajtor për vrasjen e efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, ngjarje e shënuar më 7 gusht të vitit 2009, në Durrës, gjatë një operacioni për arrestimin e tij.

Gjykata e Lartë ka vendosur të dënojë me burgim të përjetshëm Dritan Dajtin për vrasjen e 4 efektivëve të policisë në vitin 2009 në Durrës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!