Çmimet e çajit në Indi janë rritur ndjeshëm dhe ka të ngjarë të mbeten të larta për shkak të valëve të të nxehtit dhe përmbytjeve në kulmin e sezonit të korrjes në rajonet kryesore të prodhimit.
Rritja e çmimeve mund të ndihmojë sektorin e sëmurë, i cili ka luftuar me rritjen e kostove të prodhimit gjatë dhjetë viteve të fundit, shkruan Reuters.
“Kushtet ekstreme të motit po dëmtojnë prodhimin e çajit, i cili ka rënë për shkak të nxehtësisë së tepërt në maj dhe përmbytjeve të vazhdueshme në Assam”, tha mbjellësi Prabat Bezboruah, ish-kryetar i Bordit të Çajit të Indisë. Prodhimi u prek gjithashtu nga vendimi i qeverisë për të ndaluar 20 pesticide, shtoi Bezboruah.
Prodhimi i çajit në Indi u fundos në maj me më shumë se 30 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke rënë në 90.92 milionë kilogramë, niveli më i ulët në atë muaj në më shumë se dhjetë vjet, për shkak të nxehtësisë së tepërt dhe reshjeve të pakta.
Shteti federal i Assam në Indinë verilindore është goditur nga përmbytjet. Assam prodhon më shumë se gjysmën e çajit të Indisë. Ndërsa, çmimet e çajit kanë filluar të rriten për shkak të një valë të nxehti që ka reduktuar prodhimin që nga prilli, tha sekretari i Shoqatës së Tregtarëve të Çajit të Kalkutës, Kaljan Sundaram.
Në javën e fundit të qershorit, çmimi mesatar i një kilogrami çaji u rrit në 217,53 rupi (2,61 dollarë), një rritje prej gati 20 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas Bordit të Çajit./abcnews.al