Në Gjermani “thonë” Spanja, tifozët e “Pancerave” mendojnë “Furinë e Kuqe” si kampionë

schedule22:16 - 8 Korrik, 2024

schedule 22:16 - 8 Korrik, 2024

I patën përballë dhe u eliminuan me zemër të thyer.

Padyshim që për momentin emri më i urryer për tifozët gjermanë është ai i Spanjës, veçse siç thotë populli, “të rrimë shtrembër, e të flasim drejt”.

Shumica e tifozëve gjermanë sërish mendojnë se do të jetë Spanja kampionia e re e Evropës.

Kështu del të paktën nga një sondazh në faqen zyrtare të Bundesliga, ku njerëzit u pyetën se cili ekip e fiton Evropianin, nga katër gjysmëfinalistët.

Spanja ka marrë 60 për qind të mbi 315 000 pjesëmarrësve në sondazh, duke qenë shumë e shkëputur nga skuadrat e tjera.

Franca është në vendin e dytë me 14 për qind, ndërsa Anglia dhe Holanda kanë marrë nga 13 për qind të preferencave.

Spanja arriti gjysmëfinalen duke mundur 2-1 Gjermaninë një ndeshje më parë, në atë që u cilësua si “finalja e parakohshme” e Kampionatit Evropian.

Dani Olmo dhe Merino shënuan për “Furitë e Kuqe” dhe Wirtz barazoi përkohësisht për gjermanët, ndërsa polemikat ishin të forta për një penallti të padhënë për vendasit kur mbrojtësi Kukureja e preku topin me dorë në zonë.

Gjysmëfinalet janë mes Spanjës e Francës këtë të martë, dhe Holandës e Anglisë të mërkurën. /i.m /abcnews.al