Drogë nga Shqipëria dhe Spanja/ Goditet rrjeti i trafikantëve në Gjermani, të përfshirë 12 persona, mes tyre 8 shqiptarë

schedule19:35 - 3 Korrik, 2024

schedule 19:35 - 3 Korrik, 2024

Goditet grupi i trafikantëve në Gjermani. Të përfshirë në këtë rrjet të trafikimit të drogës janë 12 persona mes tyre edhe 8 shqiptarë.

Hetimet janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet gjermane të drejtësisë, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, për interesa të të cilave janë ndërmarrë një sërë veprime të rëndësishme hetimore.  Lënda narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja, e cila pasi futej në territorin gjerman, është tregtuar në rajonin Wolfsburg-ut, Magdeburg-ut, si dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Gjatë hetimeve janë evidentuar  9 (nëntë) episode dhe është provuar se sasia e lëndës narkotike të trafikuar është 912 (nëntëqind e dymbëdhjetë) kg marijuanë, kurse vlera e lëndës narkotike të trafikuar kap vlerën prej 3.374.400 (tre milion e treqind e shtatëdhjetë mijë e katërqind) euro.

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, më datë 02.07.2024, në afërsi të ambienteve të SPAK-ut, është bërë e mundur që të ekzekutohet masa e sigurimi personal “arrest në burg”, për personin nën hetim I.S. Bazuar në aktet dhe provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, ka rezultuar e provuar se personi i arrestuar I.S. është drejtuesi dhe financuesi i kësaj veprimtarie të paligjshme kriminale.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga janë ekzekutuar 4 (katër) vendimet e gjykatës dhe janë realizuar kontrolle (banesash, biznesesh, automjetesh, dhe personash).

Pas kontrolleve të ushtruara në territorin shqiptar, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

3.070 (tremijë e shtatëdhjetë) euro;

300 (treqind) dollarë;

2 (dy) laptop;

4 celularë;

1 DVR + Kamer;

Bizhuteri të ndryshme;

1 (një) orë e markës Rolex

4  çanta te markave luksoze;

3 çelësa automjeti;

Një automjet luksoz tip BMW X5;

Pas kontrolleve të ushtruara në territorin gjerman, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

1(një) automjet i llojit Mercedes i tipit Citan;

3.095 (tremijë e nëntëdhjetë e pesë) euro;

2 aparate celularë;

60 kg marijuanë e ndarë në pako me mbishkrimin “Kruja”;

Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!