Rikthimi i reshjeve të shiut ka rishfaqur probleme të mbartura prej vitesh në qytetin e Gjirokastrës. Banorët në një prej lagjeve në qendër të qytetit i bëjnë apel bashkisë të ndërhyjë në mënyrë të menjëhershme pasi prej 20 vitesh i është dashur që të bashkëjetojnë me baltën dhe mungesën e kanalizimeve.
E lenë në harresë prej 20 vitesh rruga “Zeman Haska” në lagjen “18 shtatori” në Gjirokastër vuan mungesën e investimeve. Mungesa e infrastrukturës rrugore, ndriçimit dhe kanalizimeve detyron rreth 100 familje në këtë zonë të përballen çdo ditë me baltën, por edhe erën e pakëndshme të ujërave të zeza. Banorët thonë se rruga është e pakalueshme, ndërsa mungon ndriçimi si dhe kanalizimet për ujërat e zeza dhe të bardha. Edhe pse janë drejtuar disa herë bashkisë ky problem nuk ka marrë zgjidhje.
Rikthimi I motit të keq e bën më evidente mungesën e infrastrukturës në rrugën “Zeman Haska”, e vetmja në lagjen “18 shtatori” e parehabilituar. Në situata të tilla banorët detyrohen të ndërhyjnë vetë me për të pastruar rrugët por kjo nuk është zgjidhje përfundimtare. Sipas banorëve është e nevojshme të kryhet një investim i mirëfilltë që do t’i jepte fund problematikës së mbartur prej vitesh. Pushteti vendor ka premtuar se vitin e ardhshëm ndërtimi i rrugës do të jetë në fokus. /abcnews.al