Rusia pretendon se ka rrëzuar 30 dronë ukrainas mbi dy rajone

schedule09:59 - 25 Qershor, 2024

schedule 09:59 - 25 Qershor, 2024

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kundërajrorët e saj i kanë rrëzuar 29 dronë ukrainas mbi rajonin Belgorod dhe një mbi rajonin Voronezh mëngjesin e së martës.

Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, tha se një grua u vra dhe katër njerëz të tjerë u plagosën gjatë sulmeve me dronë në fshatin Velovskoye dhe në qytetet Stroitel dhe Yakovlevsky.

Mediat lokale raportuan se shtëpi banimi dhe automjete u dëmtuan gjatë sulmeve.

Ukraina nuk ka komentuar rreth pretendimeve të Rusisë, të cilat nuk ka qenë e mundur të vërtetohen në mënyrë të pavarur.

Qytetet në pjesën perëndimore të Rusisë janë përballur me sulme të vazhdueshme me dronë prej majit 2023. Për këto sulme, zyrtarët rusë e kanë fajësuar Kievin.

Zyrtarët ukrainas nuk marrin asnjëherë përgjegjësi për sulme në territorin rus, apo në Gadishullin e uzurpuar të Krimesë.

Rajoni i Belgorodit në veçanti ka qenë cak i sulmeve të mëdha. Në dhjetor 2023 u vranë 25 njerëz nga një sulm në qendër të qytetit Belgorod.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!