Në fushë janë thuajse të paprekshëm. “Yjet” e Manchester City, stafi teknik me në krye spanjollin Pep Guardiola, dhe sheikët që zotërojnë aksionet, përbëjnë një kombinim të madh fitues në Angli, por gjithsesi nuk janë aspak të qetë, me kampionët anglezë, dhe ish-kampionët e Evropës, që akuzohen nga hakeri i famshëm portugez, Rui Pinto, për shkelje të tmerrshme financiare, për një skandal të vërtetë.
“Pirati” kibernetik 35-vjeçar u bë sërish i gjallë duke deklaruar se ka një datotekë me mijëra dokumenta, kryesisht nga posta elektronike e Manchester City, që vërtetojnë sipas tij shkelje të shumta të pronarëve të tij.
Aksionet e klubit zotërohen 81 për qind nga një grup financiar i Emirateve të Bashkuara Arabe, me pronar sheikun Mansour bin Zayed Al Nahyan, ndërsa president i “Qytetarwve”është sheiku tjetër Khaldoon Al Mubarak.
Këta akuzohen për 115 krime financiare, dhe pritet që gjyqi të zhvillohet në tetor, ndërsa hakeri portugez, Rui Pinto, i hedh edhe më shumë benzinë zjarrit, teksa ka botuar një pjesë të “e-mail”-ve, të klubit anglez në vitin 2018, por shumicën u ka mbajtur për vete, dhe kërcënon t’i publikojë tani.
Rui Pinto është në rolin e dëshmitarit të mbrojtur që nga viti 2020, ndërsa debati është i madh nëse ai është një kriminel apo një hero. Ndërkaq, Manchester City është nën goditje dhe ndoshta mund të ndëshkohet. /i.m /abcnews.al