KE nis hetimet për “Black out”/ Komiteti Evropian i OST: Verifikime nga grup ekspertësh

schedule12:11 - 22 Qershor, 2024

schedule 12:11 - 22 Qershor, 2024

Komiteti i Operatorëve Europianë të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike do të kryejë një hetim të detajuar pas incidentit të ndodhur ditën e premte në rrjetin e interkonjeksionit në pjesën juglindore të Europës.

Në njoftimin zyrtar të komitetit thuhet se hetimet do të kryhen nga një grup ekspertësh në përputhje me metodologjinë e shkallës së klasifikimit të incidenteve.

“Jemi duke mbledhur të gjitha të dhënat teknike për këtë ngjarje nga OST-të e prekura dhe do të ofrojmë më shumë informacion sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e Komitetit të Operatorëve Europianë të Sistemit të Transmetimit.

Incidenti rezultoi në ndërprerje të rrjeteve elektrike të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe një ndërprerje të pjesshme në Kroaci.

OST-të e prekura, me mbështetjen e OST-ve fqinje, rikthyen energjinë në rrjetet e tyre brenda rreth 2 orësh, duke synuar minimizimin e ndikimit të ndërprerjes tek konsumatorët.

Megjithëkëtë rreziku sipas  zëvendëskryeministres njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë  Belinda Balluku nuk ka kaluar.

“Pavarësisht se tashmë i gjithë vendi furnizohet me energji elektrike, duhet thënë se vazhdojmë të jemi në një zonë rrezikshmërie të lartë, pasi volumet e transmetimit në linjat e interkonjeksionit janë shumë të mëdha në këto momente dhe nga ana tjetër temperaturat do të jenë të tilla, në nivele rekord edhe në ditët në vazhdim. Duhet thënë se jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë operatorët e tjerë të transmetimit në rajon për të bashkërenduar punën me ta”,  tha ajo.

Sipas  zyrtarëve kroatë të cilëve i referohet media e Malit të Zi “Vijesti”  kolapsi mund të kishte goditur të gjithë Europën, sepse sistemet energjetike janë të lidhura. Ndërsa hetimi zyrtare nga autoritetet europiane   zakonisht zgjat gjashtë muaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!