Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un thanë se partneriteti i ri strategjik mes dy vendeve shënon përparim, por se çfarë nënkupton ai për marrëdhëniet mes tyre mbetet ende e paqartë.
Sipas paktit, të dy vendet angazhohen të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të ofruar ndihmë të menjëhershme ushtarake në rast lufte, sipas mediave shtetërore të Koresë së Veriut.
Ndërsa marrëveshja, e nënshkruar të mërkurën në një takim të nivelit të lartë në Phenian, mund të përfaqësojë marrëveshjen më të fortë të nënshkruar mes Moskës djhe Phenianit që pas Luftës së Ftohtë, ka mendime të ndryshme se sa i fortë do të jetë ky angazhim në fushën e sigurisë.
Kim Jong Un pretendoi se marrëveshja i ngriti marrëdhëniet dypalëshe në nivelin e një aleance, ndërsa Vladimit Putin ishte më i përmbajtur dhe nuk e quajti atë një aleancë.
Media shtetërore e Koresë së Veriut publikoi tekstin e marrëveshjes, e cila përfshin bashkëpunim më të gjerë në fushën ushtarake, politikën e jashtme dhe tregti. Rusia nuk ka publikuar një version të marrëveshjes.
Marrëdhëniet mes një vendi të madh si Rusia dhe një vendi të vogël e të izoluar si Koreja e Veriut – të dyja fuqi bërthamore – janë ngrohur ndjeshëm vitet e fundit mes perplasjesh në rritje të Rusisë me Perëndimin, lidhur me agresionin në Ukrainë.
Të enjten, një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes qeveria e Koresë së Jugut tha se do të rishqyrtonte politikën e saj që kufizon mbështetjen në armatime për Ukrainën. Koreja e Jugut, një eksportuese në rritje armësh, ka ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën, por nuk i ka ofruar drejtpërdrejt armë Kievit.
Çfarë premtuan Rusia dhe Koreja e Veriut?
Pjesa më e madhe e debatit mbi marrëveshjen e partneritetit sillet rreth nenit ku palët zotohen për ndihmë reciproke në rast të një sulmi. Sipas mediave shtetërore të Koresë së Veriut, në pakt thuhet se nëse një nga vendet sulmohet dhe futet në gjendje lufte, tjetri duhet të vendosë “të gjitha mjetet në dispozicion dhe pa vonesë” për të ofruar “ndihmë ushtarake apo ndihmë të një forme tjetër”.
Por në të thuhet gjithashtu, se veprime të tilla duhet të jenë në përputhje me ligjet e të dyja vendeve si dhe nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që i njeh të drejtën, një vendi anëtar të OKB-së për vetëmbrojtje.
Për disa analistë, kjo tingëllon si një premtim, që secili nga këto vende do të ndërhynte nëse tjetri do të sulmohej, duke rinovuar një zotim të bërë sipas një traktati të vitit 1961, mes Koresë së Veriut dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Kjo marrëveshje u hodh poshtë pas rënies së Ish-Bashkimit Sovjetik dhe u zëvendësua në vitin 2000 nga një marrëveshje që ofronte më pak garancie në fushën e sigurisë.
Cheong Seong Chang, analist në Institutin Sejong të Koresë së Jugut, tha se marrëveshja i bën jehonë gjuhës së traktatit të vitit 1961, si dhe dispozitave të traktatit të mbrojtjes reciproke SHBA-Kore e Jugut, që parasheh aktivizimin e kanaleve për koordinim, nëse njëri prej tyre përballet me kërcënimin për t’u sulmuar.
“Koreja e Veriut dhe Rusia kanë rivendosur plotësisht aleancën e tyre ushtarake të epokës së Luftës së Ftohtë“, tha zoti Cheong.
Ekspertë të tjerë ishin më të kujdesshëm, duke thënë se neni është formuluar me kujdes për të shmangur nënkuptimin e ndërhyrjes së menjëhershme dhe kufizon ndjeshëm rrethanat sipas të cilave secili vend do të detyrohej të ndërhynte.
Sipas Du Hyeogn Cha, analist në Institutin Asan për Studime Politike në Seul, fakti që neni iu referohet ligjeve të brendshme të vendeve dhe Kartës e OKB-së mund të jetë një pasqyrim i përpjekjeve të Rusisë të kufizojë detyrimet e saj në raport me mbrojtjen.
Çfarë lloj bashkëpunimi ushtarak është i mundshëm?
Zoti Putin tha se nuk e “përjashtonte zhvillimin e bashkëpunimit ushtarak-teknik me Korenë e Veriut në përputhje me dokumentin e nënshkruar”.
Kjo deklaratë në fakt zyrtarizon diçka që vendet perëndimore pretendojnë se po ndodh ndërkohë.
SHBA-të dhe aleatët e tjerë thonë se Rusia ka marrë raketa balistike dhe municione nga Koreja e Veriut, pasi lufta në Ukrainë po shteron depot e Moskës. Ndërkohë Rusia po i jep teknologji Phenianit që mund të forcojë kërcënimin që paraqet programi i armëve bërthamore dhe ai i raketave i Kim Jong Un-it.
Media shtetërore e Koresë së Veriut tha gjithashtu se sipas marrëveshjes kërkohet që vendet të ndërmarrin hapa për të forcuar aftësitë e tyre të përbashkëta të mbrojtjes, por nuk specifikuan se për çfarë bëhet fjalë, dhe nëse kjo gjë përfshin stërvitje të kombinuara ushtarake.
Pakti u bën thirrje vendeve që të bashkëpunojnë në mënyrë aktive në përpjekjet për të krijuar një “rend të ri botëror të drejtë dhe shumëpolar”, njoftoi Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut.
“Rusia dhe Koreja e Veriut ka të ngjarë të mos i zbardhin detajet e këtij bashkëpunimi, por marrëveshja është një mënyrë për t’i bërë të ditur botës – dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj – se ata do të punojnë së bashku”, tha zoti Ankit Panda, analist i lartë në institutin “Carnegie Endowment for International Peace”../voa/