Puna për ndërtimin e Teatrit të Ri në Tiranë sipas kryetarit të bashkisë po ecën me ritme të shpejta. Erion Veliaj ishte në kantier nga ku tha se shpreson që binaja të jetë gati vitin e ardhshëm dhe se i vjen keq për kohën e humbur nga bllokimet që i janë bërë projektit.
“Kur je në kantier kupton se po flasim për një objekt të përmasave madhështore, që do të jetë këtu për Tiranën e 100 apo 200 viteve të ardhshme. Sot jemi në fazën e ndërtimit, por të mos harrojmë se kemi humbur 30 vite për dy fazat e tjera, të projektimit dhe vizionit. E di që kemi një cirk konstant nga një grup kllounësh, që vazhdon të djegë goma nën suazën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kur në fakt të gjithë e dinë se ajo është Aleanca për Mbrojtjen e Saliut. Rrugaçëria, djegia e gomave, goditja ndaj forcave të Policisë, dëmtimi i një objekti që është monument kulture si selia e Bashkisë së Tiranës, që nuk është prona ime, të gjitha këto nuk kanë lidhje me teatrin. Ky është një cirk i shëmtuar, është bërë shumë bajat dhe banal. Fakti që Tirana i ka braktisur totalisht, do të thotë se Tirana mezi po pret Teatrin e Ri. Ky është Teatri i Tiranës, ky është Teatri i qytetarit, ky është Teatri që do të jetë me kondicioner në verë dhe do jetë me ngrohje në dimër; ky do të jetë Teatri ku çdo aktor, flas për aktorët e mirëfilltë, jo aktorët e Saliut, do të ketë dhomën e tij personale me të gjitha kushtet”, u shpreh Veliaj.
Projekti parashikon edhe një hapësirë për parking nëntokësor, si dhe të gjitha dhomat teknike që do t’i shërbejnë skenës qendrore.
“Mënyra më e mirë për t’i dhënë një përgjigje djegies së gomave dhe banalitetit grotesk që krijohet me këtë ritualin për lirimin e Saliut, është ndërtimi i kësaj vepre. Kush e mban mend historinë e Tiranës moderne, asnjë projekt i madh që ka ndryshuar jetën e qytetit nuk është bërë pa sherr nga ata që dinë të bëjnë vetëm sherr. E filluam këtë punë me këndin e lodrave te Liqeni dhe kur shikoj të njëjtat fytyra që tërhiqnin kangjellat zvarrë në Bulevard, që protestonin kundër lodrave me pistoletë, imagjino ç’i bëjnë këtij projekti. E njëjta gjë ndodhi me Astirin, ku dogjën gomat, e njëjta gjë ndodhi te Bulevardi, e njëjta gjë ndodhi te Pazari i Ri, te Kalaja këtu ngjitur. Pra, ky është një film që e kemi parë, tani të presim edhe serialet e fundit të filmit, por ndërkohë duhet të fillojmë një epokë të re me Teatrin e Ri që bën kontrast të madh me teatrin e banalitetit që shoh”, tha Veliaj.
Gjatë verës kur Tirana ka më pak lëvizje, sipas kryetarit të bashkisë puna për teatrin do të vijojë me tre turne, për të shfrytëzuar largimin me pushime të qytetarëve.
/abcnews.al