Planet e mëdha, e ardhmja dhe Florian Kamberi: Reja i zbulon të gjitha sekretet

schedule11:13 - 10 Nëntor, 2019

schedule 11:13 - 10 Nëntor, 2019

Edoardo Reja, trajneri i kombëtares, ka dalë sot para mediave për të folur për ndeshjet e radhës me Andorrën dhe Francën. Sigurisht në fokusin e tij ka qenë edhe lista e lojtarëve të grumbulluar për këto dy takime. Italiani u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të gazetarëve. Sigurisht edhe e ardhmja e tij ka qenë në fokus, pasi sikurse dihet Rejës i përfundon kontrata këtë muaj. Duka në njëfarë mënyre e ka konfirmuar, por pa u hedhur e zeza mbi të bardhë asgjë nuk mund të konsiderohet zyrtare.

“Më vjen keq për Cikalleshin që mungon, me mua ka qenë. Kemi lojtarë, mund të gjejmë zgjidhje. Kamberi është marrë për herë të parë, do e shohim nga lart. Ka pasur një problem dhe e presim të hënën. Kemi dy ndeshje përpara dhe kam nevojë për lojtarë, që të bëj ndërrime. Jemi rritur edhe në lojë”, tha Reja fillimisht gjatë konferencës për shtyp.

“Motivimi? E kuptoj situatën, por ata që vijnë e dinë se duhet gjithmonë të japin maksimumin. Ky mentalitet duhet të ekzistojë te ne. Kur luan pa motivim humb ndaj të gjithëve. Ndaj Francës motivimi nuk do të mungojë, problemi është Andorra. Nëse duam të rritemi, atëherë duhet të tregojmë përqendrim me Andorrën. Normalisht është e nënvlerësuar si ndeshje. Duhet të tregojmë një rritje në aspektin mental”.

“Rinovimi i kombëtares? Objektivi është të marrim maksimumin në dy ndeshjet e radhës. Kanë debutuar Kumbulla dhe Selahi. Ka edhe të tjerë, këtë herë mund të luajë Kamberi. Nëse vazhdoj të punoj, gradualisht të sjellim lojtarë. Kemi në vëzhgim edhe lojtarë të rinj. Fillimisht mendojmë për Andorrën. Më pas do flasim për strategjinë e të ardhmes me presidentin Duka. Masat që po marrim me të rinjtë do japin frytet e veta”.

“Stadiumi i ri? Jam shumë i emocionuar dhe jam i bindur që edhe De Biasi dhe Panucci do kishin dashur të luanin në këtë stadium dhe mund të ndihen xhelozë. Ndihem krenar që do jem i pari. Drejtor prej kohësh, por këto janë emocione të reja. Kam ftuar vajzën dhe gruan. Është diçka shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe lojtarët janë të motivuar edhe më shumë. Shpresoj të jetë kartëvizita e Shqipërisë për rivalët dhe t’u japim imazhin e këtij vendi. Uroj të na ndihmojë në një rritje të futbollit në vendin tonë”.

“Kamberi? Shpresojmë që të pajiset me dokumentacionin deri të hënën ose të martën. Nëse i vijnë letrat, mund të luajë në njërën prej ndeshjeve. Presim një përgjigje pozitive. Kemi Seferin dhe Uzunin, i cili është rikthyer. Nuk ishte herën e fundit. Kam 26 lojtarë dhe do vendos gradualisht se kush do të luajë dhe kush do të jetë në pankinë. Kemi dy rikthime, Xhaka dhe Ndoj. Jam kurioz ta shoh. Xhaka nuk ishte herën e fundit, por është pjesë e rëndësishmja e jona. Memushaj dhe Mavraj luajnë rregullisht, por duhet të shohim lojtarë të denjë që do t’i zëvendësojnë në të ardhmen”.

“Kontrata e re? Nuk ka ndonjë problem të veçantë, jemi në një mendje me presidentin. Momentalisht FSHF po punon për të ardhmen, me stadiumin dhe departamentet e reja, me synim përfafrimin e federatat e tjera. Po shohim 15-vjeçarë që luajnë në gjithë Europën. Dua të përmend që sa i takon këtij grupi dhe këtyre kualifikueseve, në Turqi mund të vinim në diskutim kualifikimin. I kishim mundësitë të fitonim, por ishte fati i keq që shkoi ashtu si shkoi. Ato u shua ëndrra. Mund të ishin disa ekipe me 21 pikë. Na duhej një mrekulli atje, por nuk ndodhi. Kam një apel, që të vijnë të na mbështesin me Andorrën. Kam dëgjuar se nuk ka interes. Ju ftoj të na japin mbështetjen në këtë ndeshje. Pa tifozë nuk ka futboll. Kërkoj mbështetjen tuaj, na ndihmoni të mbajmë përqendrimin të lartë”.

“Andorra, shans për të rinjtë? Kemi idenë për t’i futur gradualisht. Do bëjmë vlerësimet tona. Javën e fundit na janë dëmtuar katër lojtarë. Kemi nga dy lojtarë pozicion dhe vetëm një mund të aktivizohet. Do i zgjedhim lojtarët në bazë të karakteristikave edhe të kundërshtarëve. Gjithashtu kemi lojtarë që kanë kartonë. Do sheh gjendjen e të gjithëve. Më intereson të luajnë lojtarët me gjendjen më të mirë fizike dhe psikologjike. Nëse do jetë mundësia, do fus edhe të rinj. Shpresoj që të mos pezullohem edhe unë (qesh). Nuk duhet që në këtë moment të gabojmë. Duhet të jemi të përgatitur mendërisht që të mos gabojmë”.

“Andorra luan 4-4-2 dhe mbyllen prapa. I kemi parë me Moldavinë dhe Turqinë. Duhet durim për t’i goditur dhe kundërsulmojnë. Do punojmë me durim të madh dhe do i sulmojmë në dy krahët e sulmit. E përsëris, duhet durim dhe ekuilibër. Janë të rrezikshëm në kundërsulm”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!