Kina do të “veprojë me vendosmëri dhe forcë” për të parandaluar pavarësinë e Tajvanit, paralajmëroi në Singapor ministri kinez i Mbrojtjes Dong Jun.
“Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës ka qenë gjithmonë një forcë e pathyeshme dhe e fortë në mbrojtje të bashkimit të atdheut dhe do të veprojë me vendosmëri dhe forcë për të ndaluar pavarësinë e Tajvanit dhe për të garantuar që përpjekjet nuk do të kenë kurrë sukses,” tha Dong gjatë Dialogut Shangri-La në Singapor, një forum i rëndësishëm për sigurinë në Azi.
Duke iu referuar incidenteve që kanë ndodhur herë pas here midis anijeve kineze dhe filipinase në një zonë të diskutueshme, ministri kinez i mbrojtjes paralajmëroi se vetëpërmbajtja e vendit të tij në Detin e Kinës Jugore ka “kufizime”.
Lidhur me marrëdhëniet e vendit të tij me SHBA-në, Dong Jun tha se Kina është “e hapur” për komunikime me SHBA-në për çështjet ushtarake.
Në margjinat e forumit të Singaporit, ministri kinez i Mbrojtjes u takua të premten me homologun e tij amerikan, Lloyd Austin./abcnews.al