Bashkimi Evropian planifikon të nisë negociatat me Ukrainën për t’iu bashkuar BE-së nga 25 qershori në një përpjekje për të rritur moralin e Kievit. Megjithatë, sqarohet se kundërshtimet e Hungarisë ende nuk janë tejkaluar plotësisht.
Pothuajse të 27 vendet anëtare mbështetën fillimin e negociatave gjatë takimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Luksemburg më 25 qershor, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje. Megjithatë, deri më tani, çështjet e ngritura nga qeveria hungareze e kanë komplikuar një marrëveshje mbi kornizën që do të lejonte bllokun të fillonte bisedimet.
Belgjika, e cila mban presidencën e rradhës të BE-së deri në fund të qershorit, ka bërë presion për fillimin e negociatave gjatë mandatit të saj. Hungaria, e cila merr përsipër më 1 korrik, po vonon procesin e pranimit me Kievin dhe po bllokon mbështetjen kryesore ekonomike dhe ushtarake për qeverinë ukrainase. Ambasadorët e BE-së diskutuan sot të mërkurën kornizat e negociatave për procesin e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë të propozuar nga Komisioni Evropian.
Ndërsa raporti i fundit i Komisionit Evropian për Ukrainën renditi një sërë reformash që Kievi duhet ende të zbatojë përpara se të fillojnë bisedimet, zyrtarët thonë se Ukraina i ka vënë tashmë në praktikë shumë prej tyre. Kjo përfshin reformat për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore, siç propozohet nga Komisioni i Venecias.
Hungaria vazhdon të bllokojë një vendim, duke përmendur shqetësimet duke përfshirë mbrojtjen e pakicave hungareze në Ukrainë, një kërkesë e kahershme që Brukseli dhe Kievi këmbëngulin se është adresuar, thanë njerëzit, të cilët folën në kushte anonimiteti sepse diskutimet ishin private.
Në qershor 2022, Ukraina pati një mundësi historike për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, pasi kishte marrë statusin e vendit kandidat në një samit në Bruksel. Megjithatë, ky regjim ishte i kushtëzuar nga disa reforma të rëndësishme që synonin forcimin e shtetit ligjor, luftimin e oligarkëve dhe përmbushjen e standardeve të BE-së.
Në vitin 2023, Komisioni Evropian i rekomandoi Këshillit të BE-së fillimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë.
Sipas kryeministrit ukrainas Denis Shmyhal, Kievi pret të nisë negociatat deri në korrik./abcnews.al