Presidenti rus, Vladimir Putin tha të premten se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk ka legjitimitet pas skadimit të mandatit të tij pesë vjeçar dhe se kjo do të ngrinte një pengesë ligjore nëse zhvillohen bisedime për paqen.
Ukraina nuk ka mbajtur zgjedhje për shkak se ndodhet nën ligjin ushtarak në vitin e tretë të pushtimit nga Rusia, gjë të cilën Zelensky dhe aleatët e konsiderojnë vendimin e duhur në kohë lufte.
Në një konferencë shtypi gjatë një vizite në Bjellorusi, Putin tha se statusi i Zelensky ishte problematik.
“Por me kë të negociohet? Kjo nuk është një pyetje kot… Sigurisht që ne e kuptojmë se legjitimiteti i kreut aktual të shtetit ka mbaruar,” tha ai.
Zyrtarët ukrainas hedhin poshtë çdo nocion se Zelensky i mungon legjitimiteti në një kohë lufte.
Ruslan Stefanchuk, kryetar i parlamentit të Ukrainës, tha këtë javë se kushdo që vë në dyshim legjitimitetin e presidentit ishte një “armik i Ukrainës” duke përhapur informacione të rreme.
Putin tha se Perëndimi do të përdorë një konferencë të organizuar nga Zvicra për luftën, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm, për të miratuar legjitimitetin e Zelensky, por këto do të ishin “hapa PR” pa kuptim ligjor.
Ai tha se paqja duhet të arrihet përmes sensit të përbashkët, jo ultimatumeve. Ai duhet të bazohet në draft dokumentet që u përpunuan midis dy palëve në javët e para të luftës dhe në “realitetet e sotme në terren” – një referencë për faktin se Rusia kontrollon gati 20% të Ukrainës.
“Nëse arrihet deri në atë pikë, sigurisht që do të na duhet të kuptojmë se me kë duhet dhe me kë mund të merremi, për të arritur në nënshkrimin e dokumenteve ligjërisht të detyrueshme. Dhe atëherë duhet të jemi plotësisht të sigurt se kemi të bëjmë me autoritete legjitime (ukrainase),” tha Putin./abcnews.al