Tashmë gjithçka është zyrtare, Edvin Kuc do të largohet nga Ballkani. Mesfushori dhe kapiteni i skuadrës nga Theranda ka konfirmuar largimin fill pas finales së Kupës së Kosovës, të cilën Ballkani e fitoi me penallti ndaj Prishtinës, duke marrë për herë të parë në histori këtë trofe.
Kuc, i cili vesh fanellën e Malit të Zi, njoftoi se do të vazhdojë karrierën në Azerbajxhan, te Neftchi Baku, teksa deklaroi se është i lumtur që largohet nga Ballkani pasi ka fituar gjithçka.
“Kur kam ardhur në fillim, jo vetëm në Suharekë, por e gjithë Kosova më ka përkrahur shumë. E kam ndierë veten si në shtëpi. Vitin e parë i kam humbur të gjitha, ndërsa tani po largohem duke i fituar të gjitha. Falënderoj të gjithë në Suharekë, falënderoj familjen Kabashi, familjen Maksutaj, trajnerët, bashkëlojtarët, por ka ardhur koha të largohem. Karrierën do ta vazhdojë në Azerbajxhan, te skuadra e Neftchi Baku”,- tha pas ndeshjes mesfushori.
Edvin Kuç iu bashkua Ballkanit në janar të 2019-ës, teksa gjatë më shumë se 5 sezoneve ka pasur edhe një periudhë huazimi te Gjilani. Mesfushori ka qenë protagonist absolut i skuadrës që ka fituar tre tituj kampionë radhazi në Kosovë dhe ka shkuar dy herë në fazën e grupeve të Conference League. /i.m /abcnews.al