Juventusi siguroi në Rusi kualifikimin në fazën e 1/16 në Champions League dhe tani do të tentojë të mposhtë Milanin të dielën në mbrëmje. Bardhezinjtë presin ekipin e Piolit në shtëpi. Një ndër duelet më të bukura të Serie A, pavarësisht diferencave të mëdha që ekzistojnë mes skuadrave dhe problemeve pafund që kanë kuqezinjtë.
Maurizio Sarri e ka shprehur më parë se mungesat nuk janë aspak problem për të, duke parë kontingjentin e madh të lojtarëve që ka në dispozicion. Gjithsesi, gjendja e dy titullarëve shqetëson. Cristiano Ronaldo dhe Matthijs De Ligt kanë probleme, stërvitjen e fundit e kanë kryer të diferencuar dhe janë në dyshim për ndeshjen me Milanin.
Ylli portugez ndjeu disa shqetësime muskulore, ndërsa mbrojtësi holandez vazhdon të ketë dhimbje në kavilje. Alternativat për Sarrin nuk mungojnë, ndërsa e shtuna do të tregojë përfundimisht nëse CR7 dhe De Ligt do të jenë të gatshëm apo jo për duelin e zjarrtë të së dielës. /abcnews.al