“Zonja e Vjetër” shmang disfatën, Juventus e mbyll në barazim transfertën e Bologna

schedule22:56 - 20 Maj, 2024

schedule 22:56 - 20 Maj, 2024

Paolo Montero debutoi me barazim në krye të Juventus,  me transfertën e Bologna që u mbyll me rezultatin 3-3, me tekniku uruguaian që mori përkohësisht drejtimin e “Zonjës së Vjetër” pas shkarkimit të trajnerit Massimiliano Allegri, teksa ndeshja e luajtur në “Stadio Renato Dall’Ara” rezultoi shumë e luftuar, me skuadrat që në fund ndanë pikët e javës së 37-të të Serie A.

Kjo sfidë u zhbllokua që në minutën e dytë me Calafiori që kaloi vendasit në avantazh, ndërsa në minutën e 11’-të rrugën drejt rrjetës e gjeti Castro, i cili dyfishoi avantazhin e Bologna, si dhe bëri që pjesa e parë të mbyllej me rezultatin 2-0. Edhe fraksionin e dytë Bologna e nisi në sulm, me Calafiori që shënoi golin e tretë në minutën e 53′-të.

Ndërsa u duk se vendasit po fitonin sfidën, në minutën e 76’-të Chiesa realizoi golin e parë për skuadrën e Juventus. Më pas skuadra mike shënoi edhe golin e dytë duke rihapur sfidën në minutën e 83’-të me Milik, ndërsa takimi u vulos vetëm një minutë më pas, kur Yildiz shënoi golin e tretë dhe i dha barazimin “Zonjës së Vjetër”.

Në fund gjithçka u mbyll me barazimin 3-3 me të dyja skuadrat që janë me pikë të barabarta nga 68 pikë, Bologna në vend të tretë dhe Juventus në vend të katërt, me diferencën në renditje që e bëjnë rezultatet e ndeshjeve direkte. /i.m /abcnews.al