Shtyhet rezoluta anti-korrupsion/ Gjikondi: Reforma është e domosdoshme, duhet bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës

schedule17:23 - 15 Maj, 2024

schedule 17:23 - 15 Maj, 2024

Projekt rezoluta e Partisë Socialiste kundër korrupsionit u shty për një tjetër seancë, pasi në konferencën e kryetarëve mungoi një pjesë e anëtarëve të opozitës.

Juristtja Brizida Gjikondi thotë se është e domosdoshme që për reforma të tilla, zgjidhja të jetë në harmoni mes opozitës dhe mazhorancës.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Gjikondi u shpreh se reforma është e domosdoshme, por e vonuar.

“Unë mendoj që në kuadër të reformave që po bëhen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zgjidhja e këtyre situatave në harmoni mes opozitës dhe mazhorancës, është e domosdoshme për të pasur një sukses të këtyre lloj reformave. Jo vetëm SHBA dhe përfaqësia e saj në Shqipëri, por po të lexosh me kujdes edhe deklaratën e Bashkimit Evropian pak ditë më parë, gjatë gjithës kohës këmbëngulte te bashkëpunimi me opozitën dhe tek provat që duhet të jepte ky komision realisht për luftën kundër korrupsionit. Është një reformë e domosdoshme dhe e vonuar. Është e domosdoshme sepse ne e dimë shumë mirë që gangrena më e madhe e shtetit shqiptar është korrupsioni.

Pavarësisht se kemi dhe një ministri kundër korrupsionit, unë mendoj që si vizion është për t’u përshëndetur. Pastaj, sesi do të zbatohet dhe ku do të shtrihet, edhe kjo është për t’u parë, por pasi të vendoset në kalendarin dhe të analizohet nga të gjithë krahët politikë të parlamentit shqiptar”, theksoi ajo./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!