“Nuk bëhet politikë me flakadanë dhe karrige të thyera”, Dokle kujton pse dha dorëheqjen si kryetar Kuvendi

schedule10:46 - 14 Maj, 2024

schedule 10:46 - 14 Maj, 2024

Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate”, ish-kryetari i Kuvendit Namik Dokle është kthyer pas në vite dhe ka kujtuar kohën kur dha dorëheqjen nga ky post.

Ai ka zbuluar arsyen, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese rrëzoi Parlamentin dhe nuk mund të ishte dakord me këtë vendim.

Sakaq, Dokle ka theksuar se nuk bëhet politikë me flakadan dhe karrige të thyera, si në ditët e sotme.

Momente e vështira janë aq të shumta sa është e vështirë t’i dallosh nga njëri-tjetri. Ka pasur momente që parlamenti duhet të bënte disa veprime që nuk i bëri si duhet dhe aty kanë qenë debate të mëdha njëri pas tjetrit. Kështu me radhë. Kuptohet që një nga veprimet e vështira por që unë mendoj se e kam zgjidhur drejt, është kur dhash dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Kuvendit, ishte një përplasje institucionesh mes parlamentit dhe gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese mori një vendim kundër vendimit të Parlamentit, por ndërkohë unë nuk isha dakord me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por isha dakord me vendimin e parlamentit, megjithëse unë nuk kisha marrë pjesë në votim. Pra, nga pikëpamja e votës nuk kisha ndonjë përgjegjësi, megjithatë për të ruajtur dinjitetin e parlamentit, që është institucioni kryesor i demokracisë unë dhash dorëheqjen në mbrojtje të parlamentit.

Kur e shoh sot parlamentin që ka flakë, flakadanë, janë marrëzira të politikës. Nuk bëhet politikë as me të shara, as me flakadanë, as me karrige të thyera”, rrëfeu Dokle./abcnews.al