Turi i Ramës me diasporën/ PS gati për votën e emigrantëve? Klosi tha në takimin e Athinës se do bëhet realitet në politikë

schedule15:20 - 13 Maj, 2024

schedule 15:20 - 13 Maj, 2024

Një ditë pas suksesit të takimit me Diasporën në Athinë,  socialistët vijojnë punën për të forcuar lidhjet me bashkëatdhetarët edhe në vende të tjera të botës. Burime për Abc news nga grupi parlamentar thonë se të gjithë deputetët janë të angazhuar për të adresuar problematikat e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Te dielen, Blendi Klosi ngriti zërin për të drejtat e bashkëatdhetarëve. Por, a po bëhen gati socialistët të votojnë votën e emigrantëve?!

“Ju jeni sot shembulli i integrimit nëpërmjet punës. Çdonjëri nga ju këtu është punëtor i mirë. Jeni shembulli se dija ju ka sjellë këtu si qytetarë të lirë europianë. Sot asnjëri nga ju nuk mund të shikohet nga lart poshtë dhe kush e bën këtë gabim e bën për arsye të verbëra nacionaliste. Shqipëria e do Greqinë, aleate dhe partnere. Shqipëria nuk është ajo edhe e para 10 viteve më parë, Shqipëria sot qëndron drejt, shikon drejt, dhe me dorën e shtrirë të miqësisë ndaj popullit mik dhe vëlla grek

Kini besim te Kryeministri ynë Edi Rama i cili gjithmonë thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Edi Rama dhe ne që qeverisim Shqipërinë do ta bëjmë të drejtën e votës tuaj një realitet në politikën shqiptare”

Por takimi i datës 26 maj në Milano do të bëjë bashkë shqiptarët e Italisë, me një tjetër frymë. Pa  krijimin e problemeve artificiale nga politika dhe pa nevojën e ngritjes së shqetësimeve për pensionet, kjo pasi mes Shqipërisë dhe Italisë ka një marrëveshje zyrtare për njohjen e tyre. Në Milano, me emigrantët shqiptarë në fokus të diskutimeve do të jenë krijimi i urave të bashkëpunimit në sektorin e ekonomisë për të investuar në fusha potenciale.

Takimi “Krenar per Shqiperinë” do të vijojë edhe në Londër, ku do të marrin pjesë mijëra shqiptarë dhe po punohet për të vënë në dispozicion strukturën ku do të mbahet aktiviteti, kjo pas tejmbushjes së sallës në Athinë, e cila nuk pengoi pjesëmarrjen në ambientet e jashtme të Galatsi, I cili të dielën u vesh kuq e zi.

Ky proces zhvillohet në kuadër të procesit të rienergjizimit të Partisë Socialiste, e cila dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve për delegatët e Kongresit ka nisur punën në terren për zgjedhjet e 2025.