Gjeorgji, dhunë në protestat kundër ligjit për agjentët e huaj

schedule13:01 - 9 Maj, 2024

schedule 13:01 - 9 Maj, 2024

Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha se ka hapur një hetim për sulmet ndaj tre protestuesve – njëri prej të cilëve politikan i opozitës – në një miting kundër të ashtuquajturit ligj për “agjentët e huaj”, mbrëmjen e 8 majit në Tbilisi.

Ministri i Brendshëm, Vakhtang Gomelauri, tha të enjten se sulmet nga njerëz të paidentifikuar kundër specialistit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gia Japaridze, aktivistit Lasha Gvinianidze dhe politikanit të opoztës, Dimitri Chikovani, “do të hetohen plotësisht”.

“Njerëzit u plagosën, për fat të keq”, tha ai, por nuk dha më shumë hollësi.

Në një njoftim ndarazi, policia tha se gjashtë protestues që morën pjesë në tubim, u arrestuan për shkelje të dyshuara të rendit publik.

Ka pasur raporte se forcat e rendit, në disa raste, kanë përdorur spërkatje kimike, gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome për shpërndarjen e protestuesve.