Një yll i madh vendosi fatin e një ndeshjeje të veçantë në basketbollin amerikan. Stefën Kërri siguroi fitoren e Golden Stejtit në fushën e Dallasit.
Një përballje që u duk në fund si e mallkuar.
Golden Stejti kryesoi për një kohë të gjatë në fushën e Dallasit, në një përballje shumë të fortë në NBA, por fitorja në fund u duk larg.
Pavarësisht nga klasi me tepricë i kampionëve, vendasit nuk deshën të dorëzoheshin dhe arritën të synonin edhe fitoren.
Pak rëndësi pati që Kevin Durant zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, duke shënuar 25 pikë, kapur 12 topa në tabela e shërbyer 6 pasime për kosh, duke mos hequr dorë as nga specialiteti i tij, me bllokimin e 4 gjuajtjeve të kundërshtarëve.
Po ashtu, u dukën pak 25 pikët e Klej Tompsonit dhe paraqitja e shkëlqyer e Drejmond Grinit me 18 pikë, 11 topa në tabela e 6 asistë.
Dallasi, kampion i NBA-së në 2011, pati krenarinë që të mos lejonte veten të poshtërohej, dhe barazpeshoi ndeshjen me gjuajtjet nga largësia.
Uesli Metjus realizoi 7 nga 10 tentativat e tij për tri pikë, ndërsa vendasit u treguan të suksesshëm me 19 gjuajtje të tilla, ndaj 13 të Golden Stejtit.
Metjus, Barns, Novicki, Kleber, Smith, Pauell, Ferrel e Barea luftuan fort dhe thuajse u shpërblyen.
Sidoqoftë, shpesh diferencën e bën talenti dhe kampionët e patën atë më shumë sesa mund të përballonte Dallasi.
Ai që e bëri dallimin ishte pikërisht Stefën Kërri me koshin prej tri pikësh që vulosi shifrat 125-122 pas 48 minutave dramatike.
Kërri, i rikthyer së fundmi nga dëmtimi, pati një ndeshje të madhe duke shënuar 32 pikë, kapur 5 topa në tabela e shërbyer 8 pasime për kosh, ndërsa Golden Stejti mbeti në krye të Konferencës Perëndimore dhe të gjithë renditjes së basketbollit amerikan./abcnews.al