Vidhet shishja më e shtrenjtë në botë

schedule16:50 - 4 Janar, 2018

schedule 16:50 - 4 Janar, 2018

Prej tre ditësh policia në Kopenhagen është vënë në kërkim të shishes më të shtrenjtë në botë të vjedhur në një lokal. Shishja e vodkës kushtonte 1.3 milionë dollarë.

Kjo nuk është një shishe. Eshtë një thesar, kushton 1.3 milionë dollare dhe brenda saj ka vodka. Deri para pak ditësh kjo ishte shishja më e shtrenjtë që kishte një bar në Kopenhagen, por që prej mesnatës mes së hënës dhe të martës nuk dihet se ku gjendet shishja më e shtrenjtë në botë.
Policia daneze tha të enjten se po hetojnë vjedhjen e kësaj shisheje e cila gjendej në një bar në kryeqytetin danez. Pronari i kafenesë ku gjendej shishja më e shtrenjtë në botë dyshon se për kryerjen e kësaj vjedhje të bujshme, të bërë me shumë qetësi mund të ketë patur bashkëpunim mes punonjësve të brendshëm të lokalit me autorët e vjedhjes.

Shishja e çmuar, e zbukuruar me ar të bardhë dhe të verdhë dhe me një stemë të Eagle Imperial të mbushur me diamante, vlerësohet të kushtojë 1.3 milionë dollarë. Videoja e regjistruar nga kamerat e sigurisë së lokalit tregon një njeri të maskuar që përpara se të ikte nga Cafe 33 mori shishen e Vodkes ruso-baltike, të tregtuar nga krijuesi i makinave luksoze ruse Dartz motor company.

“Dikush që ka punuar këtu duhet t’i ketë dhënë çelësin”, tha për AFP Brian Ingberg, pronari i barit. Objekti i vjedhur ishte huazuar nga një biznesmen rus dhe nuk ishte i siguruar, tha pronari i barit. Shishja e vodkas, e përshkruar si “më e shtrenjta në botë” nga Brian Ingberg, iu shërbye Presidentit të SHBA-së, të luajtur nga Kevin Spacey në sezonin e tretë të serisë amerikane “Shtëpia e kartave”.
Një zëdhënës i policisë së Kopenhagës i tha AFP-se të enjten se asnjë i dyshuar nuk ishte arrestuar deri në këtë moment lidhur me vjedhjen e shishes më të shtrenjtë në botë./abcnews.al