Kajro, vazhdojnë bisedimet për armëpushim në Gazë

schedule16:11 - 5 Maj, 2024

schedule 16:11 - 5 Maj, 2024

Udhëheqësit e Hamasit u takuan sot për të dytën ditë radhazi me ndërmjetësuesit egjiptian në Katar në përpjekje për të arritur një armëpushim në Gazë. Zyrtarët palestinezë thanë se nuk ka përparime të dukshme ndërsa grupi islamik kushtëzon çdo marrëveshje të mundshme me ndalimin e luftës në Gazë. Por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë çdo mundësi të dhënies fund të luftës deri në eliminimin e Hamasit. Izraeli ka lënë të kuptohet se mund të pranojë një marrëveshjeve që do të kërkonte lirimin e 20 deri 33 pengjeve izraelite në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë dhe një armëpushimi disa javor.

Një zyrtar palestinez, që ka dijeni mbi përpjekjet e ndërmjetësimit, tha se delegacioni i Hamasit kishte shkuar në Kajro me synimin për të arritur një marrëveshje, por jo me çdo çmim, siç u shpreh ai.

Ai i tha agjencisë së lajmeve Reuters, në kushte anonime, se marrëveshja duhet t’i japë fund luftës në Gazë dhe se forcat izraelite duhet të tërhiqen, gjë që Izraeli nuk është zotuar se është i gatshëm ta bëjë.

Ndërkohë kryeministri Benjamin Netanyahu tha të dielën se nëse Izraeli pajtohet me “qëndrimet ekstreme” të Hamasit, “7 tetori i radhës është vetëm çështje kohe”, siç u shpreh ai.

“Dorëzimi përpara kërkesave të Hamasit do të ishte një disfatë e tmerrshme për shtetin e Izraelit. Do të ishte një fitore e madhe për Hamasin, Iranin dhe të gjithë boshtin e së keqes”.

Pavarësisht shtimit të trysnisë për arritjen e një marrëveshje, kryeministri izraelit këmbëngul tek qëllimi i misionit për eliminimin e Hamasit.

“Izraeli nuk do të pajtohet me kërkesat e Hamasit, që do të thotë të dorëzohemi. Por ne do ta vazhdojmë luftën derisa të arrihen të gjitha qëllimet e saj”

Ndërmjetësuesit egjiptianë dhe amerikanë kanë raportuar shenja kompromisi gjatë ditëve të fundit.

Sidoqoftë, shanset për një marrëveshje armëpushimi mbeten të paqarta. Pikëpyetja kryesore është nëse Izraeli do të pranonte për t’i dhënë fund luftës pa arritur qëllimin e tij të deklaruar, për ta shkatërruar grupin militant të Hamasit.

Lufta filloi pasi Hamasi u fut në territorin izraelit më 7 tetor duke vrarë 1200 njerëz dhe marrë peng 252 të tjerë, sipas të dhënave izraelite.

Ministria e shëndetësisë së Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, thotë se më shumë se 34,600 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 77,000 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite. Bombardimet kanë shkatërruar pjesën më të madhe të territorit palestinez dhe kanë shkaktuar një krizë humanitare.

Të premten, një zyrtar i lartë i OKB-së tha se në Gazën veriore, të goditur rëndë nga lufta dhe kufizimet e rrepta izraelite për dërgesat e ushqimit, mbretëronte “uria e theksuar”.

Egjipti dhe Katari, vend ku Hamasi ka një zyrë politike, po përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim mes shqetësimeve ndërkombëtare për numrin e lartë të vdekjeve në Gazë dhe gjendjen e vështirë të 2.3 milionë banorëve të saj.

Izraeli ka lënë të kuptohet se mund të pranojë një marrëveshjeve që do të kërkonte lirimin e 20 deri 33 pengjeve izraelite në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë dhe një armëpushimi disa javor.

Mijëra izraelitë protestuan të shtunën, duke kërkuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu që të pranojë një marrëveshje armëpushimi. /REL