Kosovë, thellohen përçarjet brenda Lëvizjes Vetëvendosje

schedule15:17 - 4 Janar, 2018

schedule 15:17 - 4 Janar, 2018

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat drejtuese në parti. Ky vendim ka vënë në pah edhe njëherë përçarjen që ekziston brenda kësaj partie opozitare në Kosovë.

Zhvillimet e fundit tregojnë qartë se Lëvizja Vetëvendosje është e përçarë. Pas dorëheqjes së Visar Ymerit nga pozita e kryetarit të kësaj force politike, edhe nënkryetari Dardan Sejdiu ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat drejtuese në Lëvizjen Vetëvendosje.
Këtë ai e bëri me anë të një letre drejtuar kryesisë. Në të ai shkruan se nuk do të kandidojë për asnjë post në zgjedhjet e brendshme të ardhshme. Dorëheqja e tij erdhi ndërsa po zhvillohej mbledhja e Kryesisë së Vetëvendosjes.

Ky është takimi i parë i Kryesisë pas dorëheqjes së Visar Ymerit nga të gjitha funksionet në parti.
Përplasjet e para në Vetëvendosje nisën të dalin në pah pas publikimit të bisedave private mes disa deputetëve të Vetëvendosjes në rrjete sociale, ku deputeja Aida Dërguti kishte ofenduar Albin Kurtin. Pas kësaj, Aida Dërguti kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet brenda partisë. Pas të gjitha përplasjeve që shpërthyen, Lëvizja Vetëvendosje në muajin dhjetor shpalli zgjedhjet e brendshme për kryetar.
Deri më tani, vetëm Albin Kurti ka shpallur kandidaturën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!